Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, në media është zbardhur dosja e plotë të Prokurorisë, ku ndër të tjera është edhe deklarimi i Anton Prengës, i cili tregon me detaje bisedat me organizatorët dhe takimet që ka pasur.
Në dëshminë e tij, vëllai i Jan Prengës shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas grabitjes së një sasie kokainë në Angli, nga vëllai tjetër i tij, shtetasi Astrit Prenga, bashkë me mikun e tyre të familjes, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian.
Ndërsa tregon edhe telefonatat që një person, i quajtur Gramoz, nga Vlora, ka komunikuar me vëllain tjetër të tij, Ndrekë Prenga, që ndodhet në burg, të cilit i ka thënë që të mos bënin gabim të luanin gjërat e tyre, duke nënkuptuar kokainën. Të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga shtetasi i quajtur Gentjan Doçi. Më poshtë, dëshmia e plotë e vëllait të Jan Prengës.
Deklarata e plotë e vëllait të Jan Prengës:
I është marrë deklarim shtetasit Anton Prenga, i cili ka deklaruar: “Unë banoj në shtetin e Anglisë së bashku me familjen time, e cila është e përbërë nga bashkëshortja ime, si dhe tre fëmijët. Unë jetoj në Londër prej vitit 1999 dhe jam me pasaportë britanike. Unë në shtetin e Anglisë kam një kompani ndërtimi ku punoj.
Gjithashtu, në shtetin e Anglisë, kam edhe vëllezërit e mi, të cilët quhen Astrit Prenga, Leka Prenga dhe Ndrek Prenga. Ndërsa në shtetin shqiptar unë kam dy prindërit e mi, si dhe vëllain tim të quajtur Jan Prenga, i cili është me banim në Kamzë, bashkë me familjen e tij. Në datën 17 janar 2020, rreth orës 13:30 – 14:30, kam qenë në punë në Londër dhe jam telefonuar nga bashkëshortja e vëllait tim, Jan Prenga, e cila quhet M. Prenga, por unë nuk ia kam hapur telefonin, pasi nuk e kam dëgjuar sepse kam qenë duke punuar. Më pas më ka telefonuar bashkëshortja ime, e cila më ka treguar se kishte folur në telefon me nusen e vëllait tim, si dhe me babanë tim, të cilët i kanë treguar se ishte rrëmbyer vëllai im i quajtur Jan Prenga, i cili më parë ka pasur emrin ‘Dod’, por e ka ndërruar kur ka emigruar në shtetin grek.
Menjëherë unë kam lënë punën dhe jam munduar të kontaktoj me nusen e vëllait dhe më pas kom kontaktuar me babanë tim, i cili më ka thënë se nuk mund të flasë dot se ishte në Policinë e Kamzës. Më pas, babai më ka treguar ngjarjen. Duke qenë se unë dhe vëllai që jeton në Shqipëri, Jan Prenga, nuk kemi asnjë problem me asnjë person, unë kam kontaktuar vëllain tim, Astrit Prenga, të cilit i kam thënë ‘eja më tako dhe më trego se cila është arsyeja e rrëmbimit të vëllait tonë Jan Prenga’.
Astriti, pas dy orësh, ka ardhur, më ka takuar së bashku me një shokun e vet të quajtur Gëzim Shullani, të cilin e kemi mik shtëpie. Jemi ulur në një kafe afër shtëpisë sime dhe aty i kam pyetur edhe Astritin, edhe Gëzimin, se çfarë kishin bërë që kishte ndodhur rrëmbimi i vëllait Jan Prenga në Shqipëri. Astriti, së bashku me Gëzimin, më kanë treguar se ata kishin grabitur një kontejner me lëndë narkotike të llojit kokainë, përpara 2-3 javësh dhe se kjo ishte arsyeja e rrëmbimit të Janit.
Unë i kam kërkuar shpjegime se si kishte ndodhur kjo vjedhje dhe ata më treguan se një shtetas anglez dhe një shtetas iranian u kishin kërkuar Astritit dhe Gëzimit të nxirrnin një kontejner nga Porti i “Smuuth”-it, ku ata më kanë treguar se kontejneri ishte i ngarkuar me banane, por aty gjithashtu kishte të fshehur edhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë. Astriti më ka treguar se kishte bashkëpunuar për të nxjerrë kontejnerin nga porti me një shtetas rumun me një shtetas shqiptar me emrin “Xhulian”, i cili është shok i Gëzimit dhe Astritit. Xhuliani, me sa më kanë treguar, është nga zona e Bajzës në Shkodër.
Pasi ata kanë nxjerrë kontejnerin nga porti, më kanë treguar se e kishin çuar në një vend të sigurt dhe kishin grabitur sasinë e lëndës narkotike. Astriti me Gëzimin më kanë treguar se aty kishte një sasi prej 260 kg lëndë narkotike të llojit kokainë. Pasi e morën kokainën nga kontejneri, ata e kishin ndarë, se si unë nuk e di, por di që një pjesë e kishte marrë vëllai im, Astriti, një pjesë Gëzimi, një pjesë Xhuliani dhe një pjesë shtetasi rumun. Nuk e di se nga sa kilogramë kanë marrë secili.
Astriti së bashku me Gëzimin e kishin fshehur diku pjesën e tyre dhe nga kjo sasi ata kishin shitur një pjesë, por unë s’e di saktë se sa kg. Rreth një javë pasi ata kishin grabitur sasinë e lëndës narkotike nga kontejneri, Gëzimi më ka treguar se ishte kontaktuar me telefon nga shtetasi Gentian Lush Doçi, i cili është nga Dukagjini i Shkodrës. Gentjan Doçi i kishte thënë Gëzimit të kthenin lëndën narkotike mbrapsht, pasi lënda ishte e tij, por Gëzimi i ka pohuar se nuk e njihte dhe nuk kishin punuar asnjëherë bashkë.
Pas dy apo tri ditësh, Gentjan Lush Doçi ka telefonuar vëllain tim të quajtur Ndrek Prenga, të cilit, pasi i është prezantuar që ishte Gentjan Doçi nga Shkodra, i ka kërkuar duke e porositur: ‘Mos bëni gabim të prekni sasinë e kokainës, pasi janë gjerat e mia dhe duhet të m’i ktheni mbrapsht’, Ndreka i ka thënë se: ‘Unë jam në burg dhe do të flas me Astritin dhe Gëzim Shullanin, do sqaroj gjërat dhe më pas do kontaktojmë sërish’. Pas disa ditësh, vëllain tim, Ndrek Prenga, e ka marrë në telefon një shtetas, i cili është prezantuar me emrin ‘Gramozi nga Vlora’, ku i ka thënë Ndrekës: ‘Mos bëni gabim të luani gjërat (që nënkuptonte mallin, lëndën narkotike) pasi janë gjërat tona’.
Dua të shpjegoj se Ndreka ka pasur në burgun ku ndodhet një telefon celular, me të cilin ka filluar të komunikojë me personin nga Vlora që quhej Gramoz. Ky person, Gramozi, i ka treguar Ndrekës së ndodhej në burg në Ekuador. Gramozi gjithashtu i ka thënë se sasia prej 260 kg ishte e tij dhe e disa personave të tjerë. Gjatë kësaj kohe, Astriti dhe Gëzimi janë munduar të kontaktojnë me shtetasin Gentjan Doçi, por ata nuk kanë mundur të komunikojnë sërish. Pas disa ditësh, ata kanë folur sërish me Gentjan Doçin, i cili u ka thënë se: ‘Nuk kam më punë unë me këtë punë’.
Disa ditë pas këtyre komunikimeve ka ndodhur dhe rrëmbimi i vëllait tim, Jan Prenga. Unë, kur kam qenë së bashku me Astritin dhe Gëzimin, i kam pyetur ata nëse ia kishin kthyer mbrapsht lëndën narkotike, por ata më thanë se nuk e kishin kthyer mbrapsht lëndën narkotike me pretendimin se nuk e dinin se e kujt ishte, e Gentjan Doçit, personit me emrin Gramoz nga Vlora, apo e ndonjë shtetasi tjetër. Në datën 18.01.2020, një ditë pas rrëmbimit të vëllait tim, unë jam kthyer në Shqipëri, për t’u interesuar për vëllain tim që më ishte marrë peng, Jan Prenga.
Kur unë kam qenë në Shqipëri, Astriti më ka thënë se kishin komunikuar me shtetasin Gentjan Doçi, i cili u kishte thënë se: ‘Ju e dini se ku e keni vëllain (që nënkuptonte që ju më keni marrë lëndën narkotike dhe ne ju kemi marrë vëllain)’. Po kështu, pas rrëmbimit të vëllait, ka hyrë në kontakte sërish Gramozi, i cili ka komunikuar sërish me Ndrekën, të cilit i ka pohuar se: ‘Unë e di se si janë gjërat, por unë ju jap besën, ktheni pjesën tuaj ju, pra, vëllai juaj, Astriti, së bashku me Gëzim Shullanin, se do lirohet pengu’, çka nënkuptonte se duhet të kthenim pjesën e mallit që kishin marrë Astriti me Gëzimin. Pasi kanë folur me Gramozin, vëllai im, Astriti, së bashku me Gëzimin, i kanë kthyer sasinë prej 106 kg lëndë narkotike, në Londër, disa personave nga shteti i Polonisë, të cilët i kishte dërguar Gramozi me Gentjan Doçin.
Unë nuk e di as vendin dhe as kohën kur ishte kthyer kjo sasi lënde narkotike, por për këtë më ka treguar vëllai im, Astriti, i cili më ka thënë që ua kemi kthyer gjërat, si dhe 700 mijë paund, për sasinë që Astriti me Gëzimin kishin prekur nga sasia totale e lëndës narkotike. Ditën e mërkurë të kësaj jave, me sa më kujtohet, ka qenë data 22 janar 2020, është kthyer malli (lënda narkotike) dhe po atë ditë Gramozi ka kontaktuar në telefon me Ndrekën, Astritin dhe Gëzimin dhe u ka thënë se brenda dy orësh, vëllai i marrë peng, Jan Prenga, do lirohet.
Pasi kemi pritur 2-3 orë dhe vëllai s’po lirohej, të nesërmen ka folur vëllai im Ndreka me Gramozin dhe ai, Gramozi, i ka thënë që s’ka mundësi që nuk është liruar dhe i ka thënë: ‘Më jep pak kohë të kontaktoj me personat se përse nuk është liruar’. Më pas, Ndreka është lidhur sërish me Gramozin dhe ai i ka thënë se me njërin prej tyre kishte kontaktuar, ndërsa me një tjetër nuk kishte kontaktuar ende, pasi ai kishte pirë mall (lëndë narkotike) dhe pa i dalë malli nuk kontaktonte dot. Gramozi gjithashtu i ka thënë vëllait të mos shqetësohej, se vëllai ishte shëndoshë e mirë dhe do të lirohet pasi t’i dalë malli personit që ai përmendi më lart.
Pasi ka kaluar sërish kohë dhe vëllai s’po lirohej, vëllai im Ndreka ka kontaktuar sërish me telefon me Gramozin dhe në këtë moment ai i ka thënë se: ‘Më kanë lëvizur nga fjala ata personat. Unë të detyrohem të të jap emrat e tyre’ dhe i ka thënë vëllait se personat, të cilët e kanë marrë peng apo kanë organizuar pengmarrjen, quhen Gentjan Lush Doçi, Gentjan Nik Bleta dhe një shtetas tjetër me emrin Korado Doda.
Gentjan Doçi është prej Dukagjini, Gentjan Bleta është nga Gruda e Shkodrës, ndërsa Korado Doda është nga Malësia e Madhe nga Shkodra. Sipas vëllait tim, Ndrekës, Gramozi është ndier i fyer pasi Gentjan Doçi, Gentjan Bleta dhe Korado Doda, i kishin dalë nga fjala dhe kjo ishte arsyeja që ai kishte treguar emrat e tyre. Gentjan Bleta së bashku me shtetasin Gramoz nga qyteti i Vlorës, kanë bërë burg së bashku në shtetin e Italisë përpara disa vitesh. Shoku ynë, Gëzim Shullani, ka kontaktuar me telefon me shtetasin Gentjan Bleta dhe më ka treguar se Gentjan Bleta i ka thënë se ishte në dijeni të kësaj çështjeje, pra, të rrëmbimit, por nuk ishte ai në këtë lidhje, por do mundohej të kontaktonte me kushëririn e tij dhe do e merrte në telefon pas 5 minutash.
Pas disa minutash, Gëzimi i ka telefonuar sërish Gentjan Bletës, por ai e kishte telefonin të fikur dhe deri në këtë moment ai e ka ende të fikur. Unë kam dyshime se kushëriri i Gentjan Bletës është shtetasi Korado Doda. Që në momentin që është mbyllur telefonata me shtetasin Gentjan Bleta dhe mbrapa, janë fikur të gjitha kontaktet që vëllezërit e mi kishin me këta persona, si ‘Instagram’, ‘Facebook’, etj. Duke qenë se shtetasi Gentjan Doçi dhe Gentjan Bleta kanë fikur numrat e tyre, unë ditën e djeshme, më datë 23.01.2020, kam shkuar te shtëpia e shtetasit Gentjan Bleta, në Grudë të Shkodrës, së bashku me shtetasin N. Shullani, i cili është kryeplak i pajtimit të gjaqeve, si dhe njëkohësisht babai i Gëzim Shullanit, i cili është shok me Astritin dhe të gjithë ne.
Unë nuk kam hyrë brenda në shtëpi, por ka hyrë vetëm N. Shullani, i cili doli shumë shpejt nga shtëpia dhe më tha se kishte takuar në shtëpi vetëm një pastruese, pasi të zotët e shtëpisë nuk ishin në shtëpi dhe kanë ikur jashtë shtetit. Po kështu, unë kur kam qenë dje në Shkodër, kam kontaktuar babanë e Gentjan Doçit, të quajtur Lush dhe jemi takuar të tre, unë, N. Shullani dhe Lushi. Jemi takuar në një kafe në Shkodër dhe kemi bërë muhabet, ku unë i kam shpjeguar si është ngjarja. I kam kërkuar Lushit të fliste me djalin e tij Gentjan Doçi, pasi ne gjërat e tij ia kishim kthyer dhe i kam thënë të fliste me djalin dhe të më sillte fjalë, pasi më ka marrë vëllain peng.
Lushi më ka thënë se djali i tij, Gentjan Doçi, rrinte në Europë dhe do mundohej të kontaktonte me të dhe se çdo gjë që do të merrte, do më çonte fjalë me N. Shullanin. Unë nuk kam asnjë numër telefoni të këtyre personave, Astrit Prenga, Ndrek Prenga dhe Gëzim Shullani, pasi komunikoj me ata në ‘Facebook’. Korado Doda, unë di se është nga Malësia e Madhe, Gentjan Doçi është nga zona e Dukagjinit në Shkodër, ndërsa Gentjan Bleta është nga Gruda e Shkodrës. Nuk e di se ku jeton Gentjan Doçi, por babai i tij më tha se është i kërkuar nga drejtësia në Europë.
Shtetasi Gentjan Bleta di që jeton në shtetin anglez, ndërsa për Korado Dodën di që është me pasaportë angleze, por jeton jashtë Anglisë. Unë di se Gramozi është nga qyteti i Vlorës. Është në burg në Ekuador, si dhe ka bërë burg së bashku me Gentjan Bletën në shtetin italian. Gjë tjetër për këtë shtetas nuk di dhe këto i kam mësuar nga vëllezërit e mi, Astriti dhe Ndreka. Ne si familje dhe as vëllezërit tjerë të mi, nuk kemi asnjë lloj problemi me asnjë shtetas.
Ngjarja e rrëmbimit të vëllait tim, Jan Prenga, ka ardhur vetëm si rezultat i vjedhjes së lëndës narkotike nga vëllai im Astrit Prenga në Angli, që tregova më lart në deklarimin tim. Dua të shtoj se nga gjithçka që unë kam mësuar deri tani, është se autorë dhe organizatorë të rrëmbimit të vëllait tim, Jan Prenga, janë shtetasit me emrat: Gramoz nga qyteti i Vlorës, Gentjan Lush Doçi, Gentjan Nik Bleta dhe Korado Doda nga Malësia e Madhe, Shkodër. /Panorama