Bordi i transparencës i krijuar nga qeveria për të evituar abuzimet me çmimin e karburanteve, ka humbur besueshmërinë tek qytetarët, të cilët duke u bazuar tek luhatjet e naftës në bursë, deklarojnë se çmimi për litër në pikat e karburanteve nuk duhet të jetë 245 lekë, por shumë më i lirë se kaq.
Qytetarët nuk kanë besim në bordin e transparencës të krijuar nga qeveria për caktimin e një çmimi tavan të shitjes së karburanteve.
“Me këtë qeveri që kemi ne, jo 250 por do të shkojë edhe më shumë. Nuk merr masa ky.”
Kontrolli i çmimit të naftës në bursë, para se të shkojnë në pikën e karburantit është kthyer për qytetarët në një rutinë të detyrueshme. Vetë qytetarët arrijnë në konkluzionin se çmimi i naftës nuk duhet të jetë 245 lekë, aq sa është vendosur nga Bordi i Transparencës, e që do të jetë në fuqi deri në datën 1 prill.
“Duhet të 180 lekë, pse të jetë 250 lekë. Të jetë aq sa ishte më përpara”
Sot një fuçi naftë në bursë kushton 120 dollarë. Ndërkohë herën e fundit që çmimi ndërkombëtar ka reflektuar të njëjtën vlerë për fuçi në pikat e karburanteve në Shqipëri 1 litër naftë varionte nga 205 deri 220 lekë për litër. Çmimi tavan i vendosur nga Bordi vlerësohet si i papërballueshëm nga qytetarët.
“Kam gjyshen smurë, do e çojë në spital me ça ta çojë. Nuk i dilet me makinë. Duhet me dalë ose në këmbë ose në biçikletë.”
Po pavarësisht çmimit, përdorimi i makinave është një nevojë e paevitueshme për qytetarët.
Kujtojmë se, deri më datë 1 prill çmimi i naftës i vendosur nga bordi do të reflektojë vlerën prej 245 lekë për litër, ndërsa benzina 218 lekë/litri dhe gazi 110 lekë.