Çfarë është më e mira për fëmijën: të rritet me gjyshen që e do, me dadon që është profesioniste apo në çerdhe duke bërë shoqëri me fëmijët e tjerë dhe duke mësuar nga edukatorët?
Nëse zgjedhim një dado me përvojë si kujdestare për fëmijën
Avantazhet
Fëmija mbetet në vend dhe në ambient të mbrojtur të shtëpisë tonë
Nuk ka nevojë të zgjojmë fëmijën herët në mëngjes për të shkuar në kopsht
Dado ndjek rreptësisht programin të cilin i japim. Fëmija del për shëtitje çdo ditë në të njëjtën orë, ha dhe fle pa vuajtje
Dado është (ose të paktën duhet të jetë) tërësisht e dedikuar në kujdesin e fëmijës. Mund t’i lexoj, t’i mësojë gjëra, të formojë dhe në përgjithësi ta motivojë në mënyrë krijuese
Nuk merr viruset një pas një. Mbetet i mbrojtur nga sëmundjet
Disavantazhet
Zgjedhja e duhur e dados për fëmijën është e vështirë. Kjo kërkon kohë, hulumtime, instinkt të fort dhe është një proces që mund të krijojë stres
Sado e mirë dhe ‘e kontrolluar’ të jetë dado, ajo është ende një fytyrë e re në shtëpinë tonë, në familjen tonë. Kjo mund të krijojë ankth, dyshime, xhelozi, dhe madje edhe faj
Zgjedhja e dados kushton më shumë se dy zgjidhjet e tjera
Fëmija kalon orë të gjata me dadon, kështu që ai nuk ka stimujt që do të ndihmojnë zhvillimin, do të mërzitet, do të ankohet, të dojë fëmijë të tjerë për shoqëri
Këshilla për përshtatje më të mirë me dadon
Praktikisht dado duhet të vijë në shtëpinë tuaj dhe jo të shkojë fëmija në shtëpinë e saj
Kjo siguron që ndryshimi për fëmijën të mos jetë kaq i fortë
Do të ndihet rehat pasi do të jetë në shtëpi, pranë lodrave të tij të dashura, kështu përshtatja me situatën e re pa prindërit, do të jetë më e lehtë
Sigurohemi që fëmija njihet me personin e ri në jetën e tij sa më qetë të jetë e mundur
Në ditët e para ne rrimë së bashku me dadon dhe fëmijën në mënyrë që fëmija të ndihet i sigurt me të dhe i shpjegojmë fëmijës (pavarësisht sa i vogël është) që kjo zonja është këtu për tu kujdesur për të dhe të qëndrojë me të, ndërsa mami do të jetë në punë
Nëse zgjedhim kopshtin/çerdhen
Avantazhet
Fëmija mëson vazhdimisht gjëra të reja, kalon kohë në mënyrë krijuese, kultivon aftësitë përmes lojërave, këngëve, vizatimeve, ndërtimeve etj
Fëmija ndërvepron me fëmijë të tjerë dhe zhvillon aftësinë e të qenit social
Mamaja i beson më lehtë mjedisit të organizuar të çerdhes/ kopshtit, ku ka edhe fëmijë të tjerë, më shumë se sa një dadoje që nuk e njeh mirë apo dy njerëz të vjetër si gjyshi me gjyshen
Në kontrast me mjedisin e butë të shtëpisë, çerdhja/ kopshti kanë rregulla dhe një program që fëmija duhet të ndjekë, rregulla të cilat duhet t’i respektojë
Zgjidhja e çerdhes/ kopshtit është shumë ekonomike
Disavantazhet
Ju duhet të jeni të përpiktë si në mëngjes dhe në mbasdite
Veçanërisht gjatë vitit të parë në çerdhe/kopsht, ngaqë vjen në kontakt me shumë fëmijë, fëmija juaj do të marrë vazhdimisht infeksione të ndryshme, që do të thotë që duhet të përgatiteni: do të kalojë shumicën e kohës në shtëpi, kështu që duhet të keni një alternativë për kohën kur është i sëmurë
Çerdhet/ kopshtet shtetërore mbyllen për një kohë të gjatë për pushime e gjatë verës…Kështu ju duhet një kujdestare alternative për fëmijën
Këshilla
Preferohet që fëmija të ketë mësuar të ecë përpara se të shkojë në çerdhe. Koha e përshtatshme është kur fëmija ka bërë 18 muajsh
Idealisht, në fillim fëmija duhet të kalojë disa orë në çerdhe dhe pastaj gradualisht të rritni orët e qëndrimit deri në orarin e plotë
Nëse e lejon rregullorja, çerdhja mund të kombinohet me dadon ose gjyshen, të cilat mund ta marrin më herët në shtëpi
Duhet të sigurojmë gjithmonë fëmijët duke u shpjeguar që do t’i dërgojmë në çerdhe. Për shembull, thoni: “Po të çoj në çerdhe dhe do të vij të të marr më vonë
Tek çerdhja do të takohesh me shokët, shoqet dhe edukatoret e tua.” Kjo duhet të përsëritet çdo ditë, ne duhet të bisedojmë me fëmijën dhe t’i tregojmë se çfarë do të ndodhë
Mos e mikloni fëmijën, pasi do të ketë frikë që diçka e keqe do t’i ndodhë atij ose ne
Kur të kthehet nga çerdhja, ju duhet t’i jepni kohë t’ju njohë sërish, për të kujtuar aromën dhe zërin tuaj
Duhet të mbani mend që fëmija ka nevojë për hapësirën e tij, mjedisin familjar, zërin e mamit e të babit, krevatin e tij, lodrat dhe dhomën
Nëse zgjedhim gjyshen
Avantazhet
Fëmija qëndron me gjyshen dhe jemi të sigurt që është me dikë që e dashuron dhe ka dëshirë të kujdeset për të në mënyrën më të mirë
Ky opsion është më ekonomik
Mund të ndihemi të sigurt
Gjyshja jo vetëm që do të kujdeset për fëmijën, por edhe do të gatuajë për të dhe do ta mbajë dhe me orë të gjata, nëse na duhet të rrimë më gjatë në zyrë ose të vendosim për të dalë për një kafe të shkurtër pas pune!
Disavantazhet
Gjyshërit kanë tendencë të llastojnë nipërit e mbesat. Për këtë arsye mund të ndodhë që fëmija që marrim gjatë kthimit në shtëpi të jetë…një fëmijë tjetër
Gjyshet dhe shoqet e tyre e kanë të vështirë t’i thonë jo një fëmije që u lutet për karamele, patatina, të shikojë televizor apo të hajë patate të skuqura!
Gjyshet janë zakonisht të një moshe të thyer që do të thotë që ato mund të mos jenë në gjendje të plotësojnë nevojat e fëmijës (për shëtitje apo lojëra)
Këshilla
Shpjegoji gjyshes që ka kufij për dëshirat e fëmijës dhe që kjo është mirë për të gjithë – por më shumë për vetë fëmijën
Jepi gjyshes një telefon celular që mund të përdorim të komunikojmë me të kurdo që të nevojitet
Konkluzioni
Pavarësisht se cilin nga tre opsionet do të zgjidhni, është e rëndësishme për fëmijën të kuptojë që përveç mamit e babit, ka dhe njerëz të tjerë në mjedisin e tij me të cilët ai mund të ndihet i sigurt, këshillon Babylino. Kështu sigurohu që fëmija të takojë fëmijë të tjerë në parqe, kënde lojërash etj
Idealisht çdo herë që mund të shkoni për vizita, merreni fëmijën me vete në mënyrë që të njohë të gjithë xhaxhallarët, dajat, tezet, hallat, gjyshërit etj. Përmes këtij procesi të takimit të njerëzve të tjerë të dashur, fëmija gradualisht zhvillon një sens të të qenit të përgatitur si për takimin e fytyrave të reja apo për të qenurit larg nga vëmendja e vazhdueshme e mamit apo e babit.
/shqiptarja.com/