Apeli i Tiranës ka rrëzuar kërkesën e “grupit Alibeaj”, që kërkonte përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja në procesin që njihet si “çështja e vulës së PD”, e që po shqyrtohet në Apel.
Vendimi u mor këtë të Enjte. Ishte avokati Rezart Kthupi që paraqiti një kërkesë të nënshkruar nga Gazmend Bardhi, me të cilën ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares relatore Irida Kacerja.
Ankuesi pretendoi se gjyqtarja relatore, njëkohësisht edhe kryesuese e seancës gjyqësore, kishte paragjykuar çështjen më herët dhe se për këtë shkak duhej të përjashtohej nga gjykimi i saj.
Por si përfundim, gjykata vlerësoi se “kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja nuk ka asnjë bazë, që të pranohet dhe se ndryshe nga pretendimi, nuk verifikohet asnjë arsye që objektivisht e bën atë të duket jo e paanshme në raport me subjektin ankues”.
Kështu, gjykata rrëzoi kërkesën e grupit “Alibeaj”, me Enkeljed Alibeajn në krye, i cili po humbet gjithnjë e më shumë mbështetje edhe në radhët e deputetëve demokratë, teksa kanë nisur procedurat për shkarkimin e tij si kreu i grupit parlamentar të PD në Kuvend.