Kryeministri Edi Rama komentoi ndër të tjera në Komisionin Hetimor për inceneratorët edhe sa i përket progres raportit të BE, ku jepej opinion për çështjen e inceneratorëve.
Rama kundërshtoi Tabakun në deklaratën e saj, dhe tha se BE nuk është shprehur kundër, por nuk ishte zgjedhja e preferuar pasi BE riciklon.
Tabaku: A jeni në dijeni të faktit që me vendimin për inceneratorët Shqipëria është në kundërshtim me direktivën e BE?
Rama: Fjalën aferë e përmendët ju jo unë. Por mbase fjala aferë ju është bërë si shenjë pikësimi dhe nuk jeni e vetëdijshme për të. Unë nuk fola për ndonjë gjë individuale. Të bëjmë një marrëveshje fjale, përshtypjet tuaja janë pa interes për mua. Ju kujtoj që nuk është një sallë e mbyllur, është një arenë e hapur dhe publiku na dëgjon. Ju e përmendët fjalën aferë. Ju thashë është individuale kush shkon me kë, kush rri me kë. S’më keni pyetur për ndonjë vendim qeverie. Deri tani më keni pyetur a di gjë ti që njëri është ortak, këto nuk janë çështjet e mia dhe përgjigjet e liderit është mirë t’i lëmë për ndonjë bisedë tjetër se nuk është këtu vendi. Kam përshtypjen se do ishte një bisedë jashtë teme dhe e parehatshme për ju. Jo BE nuk është kundër.
Tabaku: Në 3 progres-raportet e fundit BE është shprehur me shqetësim për çështjen e inceneratorëve dhe në raportet e BB. A jeni në dijeni?
Rama: Këtu ishit e saktë. Në pyetjen e parë thatë që BE është shprehur kundër, tani thatë atë që në të vërtetë ka thënë BE. Ka shprehur shqetësim sepse nuk është zgjedhja më e preferuar. Por çfarë do të thotë? BE flet për nivelin shumë të ulët i ndarjes në burim të mbetjeve, flet për nivelin shumë të ulët të riciklimit sepse këto janë preferencat e BE-së. Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorët, kemi ndërtuar impiante të përpunimit të mbetjeve për prodhimin e energjisë. Incenerimi është pjesë e këtij procesi, por komponenti i parafundit. Inceneratorët janë impiante të viteve 70-80 që e digjnin komplet produktin dhe nuk prodhonin energji. Është e vërtetë që nuk është zgjedhje e preferuar e BE sepse riciklon dhe ndan në burime, por ndërkohë dhe në vendet me standarde më të larta mjedisore, impiantet e përpunimit të mbetjeve janë aty dhe vazhdojnë të ndërtohen.