Kur u lidh kontrata me vlerë 1,4 miliardë lekë, u fiksua afati që punimet të kryheshin për 8 muaj, por kanë kaluar dy vjet dhe shkolla e mesme “Kostandin Kristoforidhi” gjendet akoma mes llaçit dhe bojërave.
Zyrtarja që ka firmosur dokumentet e tenderit skandaloz është vënë nën përgjegjësi nga një auditim i KLSH i dalë në dhjetor 2023. Vetëm atëherë u kujtua kompania të niste punën në shkollë. Ndërsa nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Aulona Bylykbashi, duke firmosur letrat e tenderit, po mbushte në fakt dosjen me indiciet për SPAK-un.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Tenderi i rikonstruksionit të shkollës “Kostandin Kristoforidhi” ishte një pazar i mbyllur qysh më parë me biznesmenin Nazif Bajrami, ndërsa lëvizjet administrative janë kryer në prapaskenë që t’i jepej fondi kompanisë së favorizuar.
Me urdhër të zëvendëskryetares (Personi i Autorizuar) së Bashkisë Elbasan znj. Aulona Bylykbashi është ngritur një komisioni më 18 gusht 2022. Urdhri mban titullin: “Për krijimin e komisionit të llogaritjes së fondit limit 130,818,929 lekë” me objekt: “Rikonstruksion i shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi” (rikonstruksion dhe shtesë anësore 4 kate dhe palestër)”. Në zbatim të këtij urdhri, është ngritur Njësia e Prokurimit e cila përbëhej nga tre nëpunës. Fondet janë miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi fituesit e projekteve të reja për vitin 2022 në bashkëfinancim me Bashkinë Elbasan ku Ministria e Arsimit mbulonte 70% të vlerës dhe bashkia 30%, që do financohej në dy vite 2022-2023.
Gjithçka është formale, sepse fondi ishte caktuar dhe pazari ishte kryer. Ky fond nuk ndryshoi edhe pas rekomandimeve të bëra nga Agjencia e Prokurimit Publik, mbi dokumentet standarde të tenderit.
Pra, me shpejtësi rrufe, u njoftua tenderi dhe pas një jave, më 26 gusht 2022, nënkryetarja e publikoi njoftimin për “garën” mbi tenderin për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Kostandin Kristoforidhi” me fond limit 130 818 926,00 lekë.
Më 12 shtator 2022, ku ishte data e fundit e pranimit të ofertave, rezulton se shprehën interes 3 kompani: “Bajrami N.” sh.p.k, “BE-IS” sh.p.k., BOE “Meteo” sh.p.k. & “Shendelli” sh.p.k.. Pazari do të kushtëzonte vendimet. Dy kompanitë e tjera u skualifikuan për mospërmbushje të kritereve. Këto ishin kritere të jashtëligjshme të vendosura qëllimisht për eliminimin e konkurrencës.
Siç shihet në dokumentin e mëposhtëm, Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin ai abuziv dhe i ka vendosur “Flamurin e kuq”, shenjën e riskut të korrupsionit.
Tenderi i paracaktuar për Nazif Bajramin
Megjithëse njëra nga ofertat ishte shumë më ekonomike se propozimi i kompanisë “Bajrami N”, Aulona eci para me planin. E kush tjetër mund t’a fitonte këtë tender, veç Nazif Bjaramit, bashkëshortja e të cilit, Anduena Prifti, ka qenë më parë nënkryetare e bashkisë Elbasan (qysh nga koha e Qazim Sejdini dhe deri vonë).
Bashkimi i operatorëve ekonomikë “Meteo” sh.p.k & “Shendelli” sh.p.k ishte më konkurrues me vlerën e paraqitur prej 107.303.679 lekë (pa tvsh). Nëse kjo ofertë do të ishte marrë në konsideratë, nga fondi limit do t’i kurseheshin buxhetit të shtetit afro 300 milionë lekë. Kjo diferencë duket se një “tarifë” e korrupsionit.
Në kundërshtim me logjikën ekonomike dhe me frymën e ligjit mbi prokurimet, të dy kompanitë e tjera u skualifikuan nga komisioni i Aulonës. Kriteret që nuk përmbushën kompanitë mund të mos ishin vendosur (sepse nuk kanë rëndësi) ose mund të ishte anuluar tenderi, në mënyrë që të mos zhvillohej procedura me një operator.
Kështu, njëra kompani “nuk kishte noterizuar kontratën me prodhuesin e kamerave që do të vendosen në shkollë”. Tjetra “nuk kishte 100 punëtorë”. Apo nuk kapej kriteri që “kompanitë të kishin në pronësi ose me qira një fabrikë të prodhimit të bordurave të betonit”.
Pasi u eliminua konkurrenca, kontrata u nënshkrua me kompaninë “Bajrami N” më datë 12 tetor 2022, vlerën 119,492,640 lekë pa TVSH dhe vlera 140,255,606 lekë me TVSH, dhe me afat 8 (tetë) muaj nga data e lidhjes së kontratës. Më poshtë është formulari i shpalljes së fituesit i firmosur nga nënkryetarja Bylykbashi.
KLSH: Firma fituese nuk plotësonte kriteret
Gjatë auditimit të veprimtarisë së Bashkisë Elbasan, Kontrolli i Lartë i Shtetit, zbulohet ana e errët e zhvillimit të tenderit të shkollës. “Kërkesat e veçanta të kualifikimit janë hartuar nga komisioni i përbërë prej z.O.K , E.S dhe z. A.B, të cilat janë evidentuar në procesverbalin e datës 25.08.2022. Në lidhje me kriteret e vendosura, u konstatuan kritere të ekzagjeruara dhe të paargumentuara”, theksohet në një nga gjetjet e raportit.
Të pajustifikuara konsiderohen edhe kërkesat e tjera si: 1 punonjës i pajisur me certifikate “Përgjegjës për dëmet në mjedis”; 4 shoferë, 1 arkitekt, licence për “Për grumbullim, ruajtje dhe transportim i mbetjeve jo te rrezikshme”, 1 fabrike betoni,
Kështu, “Kërkesat mbi një punësim mesatar për periudhën Maj 2022 – Korrik 2022, i të paktën 100 personave, ndikon në kufizimin e pjesëmarrjes së tyre”, thekson KLSH. Lidhur më këtë konstatohet se “Referuar listës së punonjësve të kërkuar, janë rreth 39, duke filluar nga Drejtues projekti me licencën e shoqërisë si drejtues teknik, inxhinierë dhe punonjës të natyrave të ndryshme për të përmbushur detyrimet kontraktuale”.
Në fakt këto kritere përdoren me dy standarde. Dhe vjen konkluzioni bombë që përbën një shkelje të hapur të barazisë në tendera, pra një vepër penale. “Nga shqyrtimi i ofertës fituese, rezulton se Operatori Ekonomik “Bajramin N” nuk përmbush të gjitha kriteret e vendosura në Dokumentet Standarde të Tenderit”, shkruhet në raportin e cituar. Kompania nuk ka as shoferët dhe manovratorët e kërkuar, ndërkohë që ka falsifikuar dokumentet. Në listëpagesa, manovratorët paraqiten si shoferë. Ndërkohë nuk ka eskavator dhe as kamionët e duhur.
Në këto kushte kompania nuk duhej të kualifikohej dhe të shpallej fituese, ndërsa tenderi duhej anuluar.
Ky konstatim vesh me përgjegjësi penale komisionin e vlerësimit të ofertave dhe nënkryetaren Aulona Bylykbashi, e cila ka firmosur tenderin me autorizim të kryetarit.
Kompania Bajrami N shpk, gjatë viteve të fundit ka marrë 120 tendera, e vetme dhe në bashkëpunim, me vlerë rreth 60 milionë euro, kryesisht nga Bashkia Elbasan. Bashkëshortja e Nazif Bajramit, Anduena Bajrami (Prifti), ka qenë nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, duke ndikuar në përfitimin e fondeve.
Përse shkolla mbaroi me vonesë?
Kompania e ndërtimit Bajrami N, me administrator Andon Priftin, që është në pronësi të biznesmenit Nazif Bajrami, e ka zokon që pasi fitojnë tenderat t’i vonojnë punimet. Pasi lidhin kontratat me Bashkinë Elbasan, vjedhin paratë përmes certifikimit të punimeve të pakryera.
Ndërsa, për të mbrojtur pazaret bashkëshortëve Bajrami dhe zyrtarëve të korruptuar, çuditërisht angazhohen disa drejtues institucionesh njëherësh. Menjëherë pas mbarimit të kontrollit të KLSH, do të vinte indirekt “reagimi zyrtar”. Kompania nisi më në fund punën, bashkia e detyruar nga nënkryetarja nisi të jepte deklarata se shkolla është “drejt” përfundimit. Kjo është pamja e faqes së parë të bashkisë Elbasan.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e ka inspektuar shkollën çdo muaj me sa duket me porosi të veçantë.
Në foton më poshtë tregohet situata e shkollës në janar 2024. Në fakt shkolla duhej të kishte përfunduar sipas kontratës në qershor 2023.
Fotot e shkollës “drejt mbarimit” u shfaqën edhe në adresën në Facebook të kryeministrit Rama, më 25 maj 2024. Kjo është një nga fotot e asaj dite, ku tregohet palestra që sapo kishte nisur nga puna:
Nepotizmi dhe krimi në bashki
Vonesat e punëve publike dhe shpërdorimi i fondeve janë pasojë e korrupsionit dhe nepotizimit të ngritur në sistem në këtë bashki qysh nga koha e Qazim Sejdinit, ku bashkëvepron politika dhe krimi.
Kryetari aktual duket se i ka duart e lidhura para kësaj situate. Herë pas here ndonjë inspektor i KLSH apo ndonjë polic mundohen të kryejnë detyrën, por ua mbyllin gojën. Për të kuptuar këtë, po e ilustrojmë me këtë shembull familjar. Nënkryetares nuk i dalin gjithë këto tendera që ka në dorë, por ka futur edhe vëllanë inspektor në bashki. Më 21 qershor 2023, policia arrestoi vëllanë e saj, Florec Lufo në Elbasan. Ai ishte duke u hetuar për shpërdorim detyre pasi, në zonën e Zavalinës që mbulohej prej tij, u gjet plantacion me bimë narkotike. Hetimi penal kishte nisur në kuadër të veprimeve hetimore të zhvilluara gjatë operacionit policor të koduar “Krasta”, si rezultat i të cilit, në një zonë pyjore të fshatit Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.