Hetimet për atentatin mafioz të ndodhur më 11 nëntor 2025 në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP-së Mustafa alias Muçi Sheljani, kanë hyrë në një fazë të re. Policia e Tiranës ka intensifikuar veprimet hetimore, duke analizuar pamje të shumta filmike dhe duke shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë dijeni mbi lëvizjet e automjetit të përdorur në ngjarje.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se një nga personat e shoqëruar është një shtetas i njohur si “Betimi”, i identifikuar përmes kamerave të sigurisë. Pamjet filmike, të regjistruara disa ditë përpara atentatit, tregojnë se ai i është afruar një automjeti tip “Toyota”, shumë i ngjashëm me atë të përdorur nga autorët, dhe u ka dhënë personave brenda disa paketa cigare.
Nga verifikimet rezulton se automjeti në fjalë ka qarkulluar në zonën Rinas–Fushë-Krujë përpara ngjarjes, çka ka shtuar dyshimet e hetuesve mbi përfshirjen indirekte të personave që kanë pasur kontakt me të. Gjatë marrjes në pyetje, “Betimi” ka pranuar se u ka dhënë cigare personave në automjet, por ka deklaruar se nuk mban mend identitetin e tyre dhe nuk ka qenë në gjendje të njohë asnjë prej të dyshuarve të paraqitur nga policia.
Në mungesë të provave konkrete që ta lidhin drejtpërdrejt me atentatin, grupi hetimor ka vendosur ta lërë të lirë personin e shoqëruar, ndërsa hetimet vijojnë përmes analizimit të provave të tjera dhe shoqërimit të personave të tjerë që mund të kenë rol në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
gijotina.com/









