Policia ka dalë me njoftim zyrtar për atentatin në rrugën dytësore në Shijak ku u qëlloi me breshëri arme ndaj djalit të një polici, Orlando Pepkola.
Sipas njoftimit, atentati ndodhi rreth orës 12:10, nga një automjet tip “Golf”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Kamionçinë”, që drejtohej nga Pepkola, fatmirësisht pa pësuar lëndime.
Në momentin e atentatit, Pepkola ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga, por pa pësuar dëmtime fizike drejtuesi i mjetit.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët kryesore e dytësore, si dhe kanë rrethuar zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit.