Piloti italian Andrea Kimi Antonelli ka shkruar historinë në garën e Grand Prix i Japonisë, duke siguruar një fitore dominuese në pistën e Suzuka Circuit dhe duke marrë kryesimin e Kampionatit Botëror të Formula 1.
Kjo është fitorja e dytë e sezonit për talentin italian, i cili tashmë kryeson renditjen me një epërsi prej nëntë pikësh ndaj George Russell. Në podium u ngjitën gjithashtu Oscar Piastri në vendin e dytë dhe Charles Leclerc në të tretin.
Gara në Suzuka nisi me vështirësi për Antonellin, i cili humbi disa pozicione që në start, duke rënë deri në vendin e gjashtë. Megjithatë, piloti i Mercedes reagoi shpejt, duke rikuperuar terren me një ritëm të lartë gare dhe parakalime vendimtare ndaj rivalëve.
Momenti kyç erdhi pas aktivizimit të makinës së sigurisë, pas incidentit të Oliver Bearman. Strategjia rezultoi perfekte për italianin, i cili mori kreun dhe nuk e lëshoi më deri në fund.
Pas rinisjes, Antonelli dominoi garën, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme dhe duke regjistruar xhiro të njëpasnjëshme të shpejta, çka e bëri të pakapshëm për rivalët.
Në fund, Lando Norris dhe Lewis Hamilton u renditën pas katërshes së parë, ndërsa pikë morën edhe pilotë të tjerë si Pierre Gasly, Max Verstappen, Liam Lawson dhe Esteban Ocon.
Ky sukses rikthen një pilot italian në krye të Formula 1 pas më shumë se dy dekadash, duke shënuar një moment historik për motorsportin italian. Antonelli tashmë udhëheq kampionatin me 72 pikë, duke lënë pas Russell me 9 pikë diferencë dhe Leclerc me 23 pikë më pak.
gijotina.com/










