Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka pezulluar nga detyra një punonjës të Policisë së Shtetit në Vlorë, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për efektivin Xhuljano Xhaferri, me detyrë specialist hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Ndaj tij është caktuar masa e sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Sipas njoftimit zyrtar, masa është marrë pasi dyshohet se punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrimet funksionale gjatë veprimeve hetimore që lidhen me një procedim penal të vitit 2024.
AMP bën me dije se veprimet ndaj efektivit janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.










