Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për aksidentin e ndodhur mesditën e sotme në Tiranë, ku një 39-vjecar që drejtonte një mercedes luksoz përplasi një çift dhe foshnjën e tyre 3 muajsh.
Ata po kalonin në vijat e bardha.
Braçe thotë se ka kohë që në rrugët e kryeqytetit sillen si “Zot” të fortët me makina të shtrenjta. Paraja e madhe u jep status mbi çdokënd tjetër, madje dhe mbi ligjin, vijon ai.
Ajas Sulejmani ishte nën efektin e drogës dhe shpejtësi përtej normave të lejuara në momentin që përplasi çiftin dhe foshnjën e tyre.
Ai gjithashtu rezulton se është shoqëruar për të njëjtën vepër penale nga policia vetëm tre javë më parë.
Aksidenti ka tronditur të gjithë qytetarët pasi, dy prindërit e foshnjës 3 muajshe ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa foshnja shpëtoi mrekullisht pas veprimit heroik që bëri nëna.
Vilma Konomi shtyu karrocën në limitin e sekondave para se makina luksoze të përplaste tre anëtarët e familjes.