Kejdi Halili, i cili humbi jetën bashkë me këngëtarin Ergi Dini në një aksident tragjik nuk ishte ishte i panjohur për publikun shqiptar.
Ai është djali i vetëm i gazetares, poetes dhe pedagoges së Universitetit të Tiranës, Erestina Halili.
Gazetarja Erestina Halili ka pasur një raport të rrallë me të birin dhe për këtë ka folur edhe më herët për marrëdhnien me djalin e saj të vetëm, për raportet nënë-fëmijë dhe vështirësitë gjatë adoleshencës së të birit.
Ja se si e perifrazonte ajo marrëdhënien me djalin në një intervistë në Revistën Psikologji.
Si do ta etiketonit marrëdhënien me Kejdin?
Ndonjëherë më duket se për gjithçka ka faj ai, më pas se për gjithçka fajin e kam unë. Herë të tjera se është fëmija më i mirë në botë, herë të tjera i shoh një mijë dobësi. Por, kur ai shtrihet e mbyll sytë e bukur me qerpikë të gjatë, unë e puth dhe mendoj se ashtu e kam ëndërruar që ditën që u ngjiz. Kejdi po burrërohet shpejt, në shtat e në mendje. Dhe raporti im është ai i një nëne që fëmijët e saj i ka në dritë të syrit, edhe pse kjo sjell bezdisje për ta, shpesh apo ndonjëherë.
Bezdisje? Pse, cilat janë ato gjëra për të cilat Kejdi rrudh buzët apo që ju bëjnë të konfrontoheni me të?
Nuk jam fort liberale. Kërkoj disiplinë në shkollim dhe edukim. Jemi në fazën e diskutimeve të zjarrta për nivelin tjetër arsimor, unë kërkoj të njëjtën shkollë, ai është i mëdyshur, babi abstenon (më liberal). Në shtëpi, mami është kërkuesja, babi zgjidh “konfliktet”. Duke qenë se shpesh tutem nga ngjarjet e lajmet që dëgjojmë, kërkoj ta kem nën kontroll. Sigurisht, e lë të lirë, por telefonoj pak para se të skadojë afati i kthimit në shtëpi. Vetëm një rregull nuk mund të shkelet assesi në shtëpinë tonë: pa leje, pa adresë dhe pa orar nuk mund të dilet. Gjatë shkollës është e premtja pasdite deri në orën 20:30. Këtë verë kemi vendosur që ai të punësohet part– time (kohë të pjesshme). Do t’i vlejë!
Dhe cilat janë ato situata në të cilat lëshoni pe?
Kur ai shfaq një dëshirë të re, kur ka takim me një shoqe, kur ka një film në kinema. Sigurisht im bir nuk është ende burrë, edhe pse i ka dirsur mustaqja. Por kam shpresë, se nesër do të jetë një individ i mirë.
Për çfarë ju qorton më tepër djali juaj?
Një ditë po lyeja me pambuk disa njollëza në mure (për dreq nuk kisha as furçë). Më sheh im bir e më thotë: “O ma, lodhesh ndonjëherë ti?” Ja, për këtë më qorton, se i hap gjithnjë punë vetes. Kjo, sipas tij, ndodh gjithnjë kur nuk duhet, sepse duket sikur pengoj atë gjatë argëtimit, sidomos kur ai po çaton, sepse po sheh një film, ka futboll, ose dokumentarë shkencorë, preferenca e tij.
Fëmijët në adoleshencë shfaqin për herë të parë prirjen e theksuar për pavarësi. Çfarë ofron eksperienca juaj?
Besoj se ajo ditë po vjen më shpejt seç e kisha menduar. Por, jam e pafuqishme ta mendoj, ndjej edhe dhimbje. Më tremb ideja që të mos e kem Kejdin në shtratin dhe jastëkun me erën e tij. Dikur edhe unë kërkoja pavarësi…
Përballë dëshirës së djalit tuaj për të frekuentuar jetën e natës, apo për të kaluar pushime vetëm me shoqërinë si ndiheni? A e pengoni?
Tendencat janë të përditshme, por përgjigja ime është e prerë: Kur të bëhesh 18 vjeç. Nëse ka njeri që e dëshiron më shumë këtë moshë ai është im bir. Tani është verë, ai ka shokë e shoqe plot, në gjithçka të organizuar e lejojmë, por gjithnjë me kushtin që unë si nënë dhe im shoq duhet të dimë vendin ku ai shkon, orën kur do të kthehet dhe personat me të cilët shoqërohet. Ende nuk ka kërkesa për ëikende apo pushime veç. Tani kemi party, kinema, kanë filluar baret dhe bashkë me këto të fundit edhe “sherret me mamin”. Qëllon kur e telefonoj që t’i kujtoj orarin. Ndodh dhe që unë marr një telefonatë nga bashkëshorti im, të cilit i është lutur: “Ba, thuaj një çikë mamit!” Kjo ndodh edhe kur ai nuk e di se unë jam me babin.
A flisni lirshëm me djalin tuaj? Cila është tematika qendrore e bisedave tuaja?
E konsideroj këtë pikë një nga sukseset tona. Kejdi e di që unë jam mami, nuk jam shoqja e tij. Dua të them se ai mban sekretet e tij dhe më kënaq mençuria me të cilën selekton ato që thuhen. Sigurisht, është i hapur pa qenë unë detyruese. Ndërsa, me Nikun (babin) ka një marrëdhënie perfekte komunikimi e këshillimi. Të dy bashkë mundohemi që Kejdi të mos ketë tabu, por të marrë informacionin e nevojshëm për këtë moshë. Informacion që shpesh ai e merr edhe nëpërmjet moshatarëve me të cilët shoqërohet.
Me aq sa kuptova nga biseda bashkë, ju përpiqeshit t’i zinit kohën djalit me aktivitete jashtëshkollore, me kurse artistike. E bëni që atij të mos i mbetet në dispozicion shumë kohë e lirë, apo që ai ta shfrytëzojë në të mirë të formimit të tij gjithçka që ju investoni për të?
E bëj e bindur se ai do të më falënderojë një ditë. Kejdi është 1.78cm, ka luajtur basketboll, kitara i duhet si mjet i shpirtit, mësimet për të ardhmen, gjuhët e huaja për të qenë realisht qytetar i botës, noti si gjimnastika më e mirë. Dhe puna në verë për ca pika djerse më shumë.
Sa e pranishme jeni ju në jetën e djalit tuaj? A ka gjëra për të cilat vendosni ende në emër të Kejdit?
Mundohem të jem gjithë kohën e pranishme. Disa nga vendimet e jetës së tij të përditshme duhet t’i marrin prindërit, me pëlqimin e tij. Duke e bindur për alternativat dhe duke i treguar aspekte të panjohura për të nga jeta jonë. Të tjerat i përkasin atij.
A ka pasur ndonjë zhgënjim deri më sot tek ju, ndonjë shqetësim a mërzi që ai jua ka “dhuruar” qoftë edhe pa dashje!
Prindërit janë idealistë dhe perfeksionistë për pasardhësit e tyre, e kjo sjell zhgënjime, kokëçarje. Jemi ende në fazë të mirë në këtë aspekt, përveç rrëmujës dhe dembelizmit në ndonjë rast.
Botuar në revistën Psikologji, nr.39