Një aksident i rëndë është regjistruar në minierën e bakrit në zonën e Spaçit, ku ka mbetur i plagosur një minator që punonte për kompaninë “Tete Albania”.
Mësohet se minatori E.Gj është dëmtuar gjatë punës në galeri, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të ngjarjes. Pas aksidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.
Lajmi është bërë publik nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
“Punëtorët detyrohen të kryejnë punë jashtë profesionit dhe kapaciteteve të tyre profesionale e fizike. Në minierë mungon personeli i kualifikuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk funksionojnë këshillat e sigurisë dhe nuk kryhet vlerësimi ligjor i rrezikut. Masat parandaluese janë pothuajse inekzistente”, thuhet në reagimin e Konfederatës së Sindikatave.
KSSH thekson se do të kërkojë një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent për këtë aksident, si dhe përgjegjësi konkrete nga kompania dhe nga institucionet shtetërore që kanë lejuar krijimin e kësaj situate të rrezikshme.
Ndaj kompanisë “Tete Albania Tunnel & Mining” ka patur vazhdimisht denoncime se operon në kundërshtim flagrant me rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së jetës e shëndetit në punë.
Kujtojmë që “Tete Albania” u vu në qendër të akuzave disa muaj më parë pasi shkarkoi nga puna 61 minatorë si ndëshkim për grevën që ata po zhvillonin për paga më të larta dhe kushte pune dinjitoze. Minatorët akuzuan kompaninë gjithashtu për kërcënime, presion psikologjik dhe largime të padrejta nga puna.








