Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) po zhvillon një fushatë promovimi për blloqet e lira për kërkimin e naftës duke ofruar për eksplorim bllokun C dhe Panaja në tokë. Sipas këtyre kritereve, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit do të jetë deri në 5 vjet, por në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të zgjatet deri në 7 vjet.
Periudha e eksplorimit do të ndahet në tri faza, ndërkohë që kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi, që ndër të tjera parashikon detyrime për punësimin e banorëve të zonës. Po ashtu, në kritere përcaktohet se në rast zbulimit tregtar, periudha e zhvillimit dhe prodhimit do të jetë 25 vjet dhe mund të zgjatet më tej.
Kujtojmë se nuk është hera e parë që AKBN ofron për eksplorim këto 2 blloqe nafte, pasi një fushatë e ngjashme u ndërmorr edhe në vitin 2019. Përveç tyre, në atë kohë u ofrua për eksplorim edhe blloku Dumrea, teksa procedurat u finalizuan vetëm për këtë të fundit. Marrëveshja për nisjen e operacioneve të kërkimit të naftës për këtë bllok u nënshkrua me kompaninë italiane ENI, në fund të vitit 2019.
Edhe për bllokun C, pati një shprehje interesi, por nënshkrimi i marrëveshjes për hidrokarbure nuk u nënshkrua. Fushata e radhës, e ndërmarrë nga AKBN vjen pas një urdhri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me datë 26 prill 2022, ndërkohë që kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 10 gusht për të aplikuar.