Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat, u pyet nëse ish deputeti Ervin Salianji, do të lejohet që të kandidojë përballë tij për kreun e ri të partisë në zgjedhjet që mbahen në maj.
Kryedemokrati theksoi se ish deputeti është vetëpërjashtuar nga partia pasi ai zgjodhi që të “birësohej” politikisht, teksa shtoi “iku e mori fund.”
“Se unë ç’është e vërteta kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat unë kam pasur rivalë. Por kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë. Për dijeni, meqë jemi këtu. Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht. Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën.
Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën. Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.
Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara. Mirë, tha. Iku. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij,” tha Berisha.






