Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për krizën demografike në Shqipëri dhe rritjen e vazhdueshme të administratës publike, duke theksuar se vendi po përballet me një kontrast të fortë mes largimit të qytetarëve dhe zgjerimit të shtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku publikoi një grafik të bazuar në të dhënat e INSTAT, sipas të cilit numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Në vitin 2001 rreth 800 mijë shqiptarë jetonin jashtë vendit, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në rreth 1.46 milion, një rritje prej 82%. Në të njëjtën kohë, popullsia rezidente në vend ka rënë me rreth 20%.
Sipas saj, ndërkohë që vendi po përballet me largim të vazhdueshëm të qytetarëve, administrata publike ka arritur nivelet më të larta të 23 viteve të fundit. Aktualisht, sipas të dhënave të publikuara, administrata ka rreth 185,400 punonjës.
Tabaku thekson se edhe raporti i punonjësve të administratës për çdo 1,000 banorë është rritur ndjeshëm. Nga 62 punonjës për çdo 1,000 banorë që ishte më parë, sot ky raport ka arritur në 79.
Deputetja e PD e krahason këtë tregues me mesataren e Bashkimit Europian, e cila sipas saj llogaritet rreth 60–65 punonjës publikë për çdo 1,000 banorë, duke nënvizuar se Shqipëria tashmë ka një raport më të lartë se vendet e BE-së, pavarësisht se ekonomia është shumë më e vogël dhe popullsia është në rënie.
Tabaku argumenton se situata tregon një model të gabuar zhvillimi, ku në vend që të krijohen mundësi për të mbajtur shqiptarët në vend, po ndërtohet një shtet gjithnjë e më i madh mbi një shoqëri gjithnjë e më të vogël.








