Çfarë mund t’i bëjë droga trurit të dikujt? Sulmi i ashpër i Princit Harry ndaj familjes së tij mund të jetë nxitur pikërisht nga eksperiencat “e fuqishme” me drogën, thonë ekspertët britanikë.
Abuzimi me drogën, sidomos me ato që njihen si droga psikadelike, mund të shtrembërojnë këndvështrimet e njerëzve ndaj të dashurve të tyre si dhe t’i bëjë ata “të ndikuar lehtësisht nga të tjerët”, thonë ekspertët.
Princi Harry e ka pranuar tashmë se ka përdorur droga psikadelike për të përballuar dhimbjen dhe situatën që ndoqi vdekjen e papritur të nënës së tij, Princeshës Diana.
Ekspertët
Ekspertët shtuan edhe se pavarësisht se shumë njerëz i shohin këto lloj drogash si mundësi për t’i ndihmuar ata me menaxhimin e traumave apo pikëllimit, ato gjithashtu e lënë një person të pambrojtur dhe të cenueshëm ndaj manipulimit dhe personave me natyrë grabitqare.
Gjatë disa intervistave të kësaj fundjave, Princ Harry ka pranuar se është vetë-mjekuar me droga të fuqishme dhe të paligjshme si ayahuasca dhe kërpudhat magjike për të përballuar humbjen e nënës së tij, Princeshës Diana.
Drogat janë të paligjshme në shumicën e shteteve të SHBA-së dhe Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse prej vitesh ka grupe shkencëtarësh që studiojnë rreth mundësisë – ende të paprovuar – të aplikimit të tyre në barna apo medikamente që mund të ndihmojnë me problemet e shëndetit mendor. Sidoqoftë, ata ngrenë alarmin se “vetë-mjekimi” apo përdorimi i drogave që gjenden në rrugë apo tregun e zi nuk duhet absolutisht të praktikohet pasi rrezikon drejtpërdrejtë shëndetin mendor dhe fizik të personit që i merr ato.
Psikiatri
Dr Matthew Johnson, një psikiatër në Qendrën Johns Hopkins për Kërkime Psychedelic & Consciousness, tha për DailyMail se: “Efekti mund të duket i mirë, por ai mund të shkaktojë probleme serioze si faza maniake, halucinacione, ankth apo edhe probleme më të rënda që mund të zgjasin për periudha të pacaktuara.”
Dr Johnson shtoi se nëse ka probleme themelore brenda familjes së një pacienti, ilaçet shpesh i lejojnë përdoruesit të bëhen të gatshëm të falin dhe t’i shohin gjërat nga një këndvështrim tjetër. “Por disa njerëz shkojnë në drejtimin e kundërt” dhe zhvillojnë pakënaqësi edhe më të madhe për të dashurit e tyre, tha ai.
Doktori shtoi se këto droga u japin njerëzve një perspektivë të re për jetën, por ato gjithashtu i lënë marrësit të ndjeshëm ndaj ndikimit të jashtëm nga të tjerët.
“Është argumentuar se këto lloj drogash mundësojnë një fleksibilitet të madh mendor… dikush mund të formohet, skalitet, gdhendet pra manipulohet lehtësisht,” tha ai.
Çfarë ndodhi brenda familjes mbretërore?
Princi Harry dhe gruaja e tij Megan Markle u larguan në mënyrë të diskutueshme nga familja mbretërore në fillim të vitit 2020 në një ndarje të hidhur që mediat e quajtën “Megxit”.
Që atëherë ata kanë aluduar për racizëm dhe keqtrajtim ndaj tyre nga Familja Mbretërore në intervista të shumta televizive të profilit të lartë që përfshinë dhe një dokumentar në Netflix.
Në intervistën 60 Minutes, e cila u transmetua të dielën, Princi Harry zbuloi se ai ka eksperimentuar me drogat. Ai ka thënë edhe se ka përdorur droga halucinogjene nën mbikëqyrjen e një terapisti.
Ndërsa Dr Johnson pranoi se këto lloj “terapish” mund të jenë të vlefshme, ai ngriti pyetjen nëse ja vlen vërtetë barra qiranë të rrezikohet me to, pasi shpesh herë ato mund të kenë tërësisht efektin e kundërt.
“Ju shihni disa gjëra të çuditshme, dhe disa njerëz shkojnë komplet në drejtimin e gabuar pas kësaj,” tha ai.
Terapistët e tjerë
“Një person, mendja e të cilit është e hapur më shumë seç duhet, ka më shumë gjasa të dëgjojë dhe të marrë parasysh mendimin e të tjerëve. Por të qenit shumë të hapur i lë ata të pambrojtur. Dikush mund të frymëzohet që të largohet nga familja e tij… kjo mund të lirojë dikë aq shumë se ai të shkojë në drejtimin e gabuar”, shtoi Dr Johnson.
Edhe me një terapist të shkëlqyeshëm dhe një situatë të përsosur, Dr Johnson tha se një person që përdor këto barna është tejet i prekshëm ndaj turbullimit, çoroditjes madje dhe zhbërjes së plotë të pikëpamjeve të tij të mëparshme.
Ai tha se ka dëgjuar për raste kur pacientëve iu është shpëlarë truri në mënyrë efektive duke përdorur drogëra psikadelike.
Kërpudhat magjike, ose çdo drogë që përmban psilocybin, janë të paligjshme në shumicën e shteteve të SHBA-së, por janë dekriminalizuar plotësisht në Oregon dhe pjesërisht në Kolorado.