Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur këtë të martë në lidhje me zgjedhjet për kryetar që pritet të zhvillojë kjo forcë politike më 23 maj.
I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë pjesë e garës për të drejtuar PD, Berisha nënkuptoi se do të ishte dhe se një gjë e tillë është e pashmangshme.
Pyetje: A konfirmoni ju pjesëmarrjen në këtë garë?
“A mund të më thuash ti kush të tha jo, si e bën këtë pyetje?!”, u shpreh Berisha.
Neni 48 i statutit të PD-së flet për mosrikandidim të kryetarit kur ai ka drejtuar partinë në zgjedhjet e fundit dhe i ka humbur ato.
Megjithatë, për Berishën, ky nuk është rasti, pasi zgjedhjet e vitit të kaluar nuk konsideroheshin të tilla, por një farsë elektorale.
“Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Nëse ka një realitet, janë zgjedhjet ishin farsë elektorale. Kur zgjedhjet janë normale, është detyra e drejtuesit për dorëheqje”-u shpreh Berisha.
Madje lideri i demokratëve u shpreh i vendosur për të mos e ndryshuar këtë nen, por me saktësimin e vogël, se ai nuk do të përdoret në 23 maj.
“Nuk ka pse ndryshon. Ai nen bën fjalë për zgjedhje. Ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Vijnë propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato. Ai nen flet për zgjedhje”.







