Në katër vitet e mandatit të dytë, kryeministri Edi Rama foli për bashkëpunimin e opozitës për çështjet kombetare dhe integrimin e vendit.
Rama deklaroi se objektivat i tij do të jetë; Rritja ekonomike, zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe Integrimi në BE.
Kryeministri pranoi se presioni i opozitës për kanabisin dhe dekriminalizimin ishte një shkundje për qeverinë, por kërkoi që më parë problemet të diskutohen në Shqipëri dhe jo në Bruksel duke kërkuar nisjen e nje faze te re dialogu.
Gjithashtu në seancën e pasdites së Kuvendit kryeministri i është përgjigjur pyetjeve të grupit parlamentar të LSI, duke e vënë theksin te pikat kyçe në ekonomi si arsimi, bujqësia dhe shëndetësia.
Rama tha se do të rrisë shpenzimet për shëndetësinë dhe pagat për mësuesit dhe infermierët 40% më të larta 4 vitet e ardhshme.
“Vazhdojmë të shikojmë drejt shëndetësisë, me bindjen se për kujdesin shëndetësor të arrijmë 60-65 % të shpenzimeve, një shifër që e gjetëm vetëm 43 % në vitin 2013. Ne duhet të sigurohemi që askush të mos bëhet i varfër për shkak të shëndetësisë. Sa i përket Arsimit, kemi prioritet mbështetjen e mësuesve, rritjen e pagave të tyre deri në 40 % brenda këtij mandati. Edhe për infermierët. Jemi duke punuar për një projekt financimi që të joshim mjekët specialistë që të punojnë edhe në rrethe. Është ende në diskutim. Transformim do pësojë edhe ndihma ekonomike e cila do quhet programi për integrim, ku parashikohet rritje e saj përtej kufirit 80 mijë lekë të vjetra në muaj.”, tha Rama.
Rama nuk kurseu as ironitë me LSI-në dhe Akademinë e Shkencave.
Dy pyetjet e LSI për ujin ishin: “Premtimi juaj është që për 4 vitet e ardhshme do të mbulojmë plotësisht 75 % të nevojave për ujë në të gjithë territorin ? Çfarë do të thotë kjo? Po çfarë mund të ketë më të rëndësishme sesa uji për qytetarët shqiptarë?”
Ndërsa përgjigjja e kryeministrit Rama ishte: “Këtu ka një pyetje që unë nuk mund t’i përgjigjem dot, ndoshta vetëm Akademia e pareformuar e Shkencave mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. “Çfarë mund të ketë më të rëndësishme për shqiptarët se uji?”, tha Rama duke lexuar pyetjen që e cilësoi si emocionale.
Kostot e largimeve nga puna dhe qeveria eksperimentale
“S’e di cila është qeveria eksperimentale, mund të na e thotë autori. Mund të jetë një fantazi, mund të jetë një realitet, por këtë e di autori i pyetjes. Sa i përket largimit nga puna, mos u shqetësoni, administrata për ne është një aset, padiskutim që pjesa e shëndetshme e administratës është më e madhe se pjesa e kalbur dhe e gjitha në rikonstruksionin kryesor të mekanizmave qeverisës, do të ketë një vëmendje të posaçme për të ruajtur çdo aset me vlerë në administratën tonë, qoftë në shërbimin civil apo administratën shtetërore që funksionon me Kod Pune“.