Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka njoftuar sot nëpërmjet një statusi në Facebook se do të largohet përfundimisht nga politika aktive dhe do t’i përkushtohet avokatisë.
“Kam ndërmend të fokusohem tek këshilla ligjore për çdo kënd që ka një problem me shtetin, shkruan Manjani ndërsa deklaron se për çështje të caktuara (politike) mund të bëjë ndonjë koment.
Statusi i plotë:
Përshëndetje,
Që sot e ne vijim do ti përkushtohem tërësisht Avokatisë. Punonjësit e Qëndrës së Shërbimeve (djali në sportelin nr 3) më ndihmuan të pajisem me NUIS (NIPTI).
Kam ndërmend të fokusohem tek këshilla ligjore për çdo kënd që ka një problem me shtetin.
Së bashku me një ekip partnerësh punëtorë e të mënçur do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Të vëmë në dispozicion gjithçka dimë në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Sa i takon angazhimeve të tjera, me të cilat jemi njohur deri më sot, kalojnë të gjitha në plan të dytë. Që do të thotë se ndonjëherë për ndonjë teme që ma ka qejfi dhe ma lejon koha, mund të shpreh ndonjë mendim.
Politika tashmë ka zgjedhur “punonjësit” e saj, të cilëve ju uroj veç të mira! Të jenë sa më shumë të sinqertë dhe të luajnë sa më pak teatër për llogari të shefave të tyre!
Për çështje të zbatimit të ligjit apo të funksionimit të drejtësisë do jem gjithnjë i gatshëm dhe në dispozicion.
Shumë faleminderit për komentet tuaja nëpër statuset e mia!
Jemi në kontakt në vijim, me statuse, komente e mendime të tjera.