Një letër e firmosur nga 103 zëvendëskancelarë dhe e publikuar në gazetën Sunday Times pak orë pas marrëveshjes së arritur nga kryeministri David Cameron me 27 liderët e tjerë të BE-së në Bruksel, argumenton mbetjen e Britanisë në union.
E firmosur nga zëvendëskancelarët e universiteteve të Oxford dhe Cambridge, të ndjekur nga të tjera institucione me reputacion botëror, si: Imperial College London dhe London School of Economics, letra thotë se “Ne i bëjmë thirrje publikut britanik që të marrë në konsideratë rolin jetësor që ka Bashkimi Europian në mbështetjen e universiteteve tona.”
“Brenda BE-së, ne jemi më të aftë për të bashkëpunuar me partnerët tanë nga e gjithë Europa, duke avantazhuar kërkimin shkencor nga mjekësia deri te materialet e tjera, produktet dhe shërbimet. Në BE, Mbretëria e Bashkuar është gjithashtu një destinacion më atraktiv për talentet globale, duke u siguruar në të njëjtën kohë se studentët tanë do të zhvillohen nga mendjet më të ndritura përgjatë gjithë Europës. Kjo gjë ka një impakt direkt në ekonominë tonë, duke udhëhequr rritjen, gjeneruar vende pune dhe së fundmi duke përmirësuar jetët e njerëzve”, thuhet më tej në letrën e botuar.
Zëvendëskancelarët konkludojnë se universitetet britanike do të mund të mbijetojnë edhe jashtë Bashkimit Europian, por vënë në dukje rrezikun se “duke lënë veten tonë jashtë suportit të vetëm që kemi dhe një rrjeti të mirorganizuar, do të vëmë në diskutim pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar si një lider global në shkencë, art dhe inovacion.”
Julia Goodfellow, presidente e konsorciumit të universiteteve britanike dhe zëvendëskancelare e Universitetit të Kentit, thotë: “Brenda BE-së, pozitat e universiteteve tona janë më të forta. Qenia pjesë e unionit rrit mundësitë për kërkim shkencor dhe arsimim më të mirë, të cilat përkthehen në mirëqenie për popullin britanik. Evidencat tregojnë se universitetet tona do të jenë më të forta dhe efektive nëse qëndrojmë në BE.”
Fushata pro-BE e ndërmarrë nga“Universitetet për Europën” llogarit se studentët nga vende të tjera të Bashkimit Europian gjenerojnë rreth 3,2 miliardë dollarë për ekonominë britanike dhe zënë rreth 19,000 vende pune.