Parku qendror i Bulevardit të ri, rikonceptimi i Kombinatit si poliqendra e parë e Tiranës dhe fasadat e qytetit janë tre projekte konkrete që do të marrin jetë në qytet. Kreu i bashkisë, Erion Veliaj është takuar sot me ekipin e arkitektëve të Universitetit të Harvardit, që po merren me projektet.
Projekti i parë është projekti për Parkun Qendror te Bulevardi i Ri, një hapësirë e gjelbër, 6 herë më e madhe se Parku Rinia, i cili do të jetë mushkëria e re e kryeqytetit.
“Projekti i parë, projekti “William”, i cili është projekti i parkut qendror, te Bulevardi i Ri bën fjalë për një hapësirë, e cila është vendosur në të majtë të Bulevardit të Ri, duke filluar në 500 metrat e parë të bulevardit dhe mbaron deri tek km 1 e gjysmë, dhe është një hapësirë rreth 6 herë më e madhe se Parku Rinia, e do të krijojë parkun e ri qendror të qytetit. Është një hapësirë që është projektuar që tani si park dhe që tani është negociuar që të gjitha ndërtimet të zhvendosen në periferi dhe ajo hapësirë pranë Bulevardit të Ri të jetë një mushkëri e re për Tiranën. Pas sheshit Skënderbej dhe pas Parkut të Liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe të Kasharit, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit, pjesë që ka shumë vizione të reja të parqeve moderne që kemi parë nëpër botë dhe pasi të jetë debatuar mjaftueshëm, si Bashki e Tiranës do jemi gati ta financojmë në faza implementimi e parkut qendror” – tha Veliaj.