Zyra e zëvendëskryeministres ka vendosur në dispozicion Portalin elektronik të denoncimeve nën rubrikën: Task Forca për zgjedhjet 2017, me qëllim raportimin e rasteve të përfshirjes së administratës në procesin zgjedhor.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvëndëskryeministrja Ledina Mandija e cila shprehet se do të ketë tolerancë zero ndaj çdo rasti të verifikuar.
“Zyra e zëvendëskryeministres, njofton publikun e gjerë se ka vendosur në dispozicion Portalin elektronik të denoncimeve nën rubrikën: Task Forca për zgjedhjet 2017, e aksesueshme në faqen zyrtare te Kryeministrisë me qëllim referimin e rasteve të përfshirjes së administratës së Kryeministrisë dhe institucioneve të varësisë, gjatë fushatës elektorale, ditën e zgjedhjeve si dhe gjatë procesit te numërimit.
Zyra e zëvendëskryeministres Ledina Mandija inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë të administratës gjatë procesit elektoral si dhe garanton ata jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.
Zëvendëskryeministrja siguron se është e vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero ndaj çdo rasti të verifikuar në funksion të plotësimit të detyrave në marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017.”-thuhet në njoftimin e plotë nga zyra e zëvëndëskryeministres.
(d.d/BalkanËeb)