Ashtu si dhe pritej pati media që reaguan ashpër ndaj publikimit të një lajmi të firmosur nga zotëri Mark Gjonaj për influencën ruse në Shqipëri që po tenton të blejë një televizion të madh dhe tre portale shqiptare.
Po kështu, bëhet fjalë që nëpërmjet shoqatave kulturore dhe humanitare të ketë një veprimtari më kapilare në shoqërinë e varfër shqiptare. Metodologjia e përdorur të kujton shoqatat e dikurshme humanitare që vinin nga lindja e largët, të cilat më pas u kthyen në vatër të ekstremizmit dhe bërthama paramilitare.
Mark Gjonaj është tërhequr për arsye që vetëm ai i di në lidhje me shkrimin e botuar në 27.al, megjithëse shkrimi ndenji gjatë pa u botuar derisa u bënë verifikimet e duhura, të cilat nxorën që faktet e rreshtuara në këtë raportim nuk ishin kallpe. Përgënjeshtrimi i djeshëm plot zell që krye nga disa media u morën vetëm me zotin Mark Gjonaj, jo me faktet që janë publikuar.
Pra, a është duke u shitur një televizion i madh informativ në Shqipëri?
A po shpërndahen materiale të prodhuara nga Qendra e Emergjencave Civile në Nish të Serbisë dhe nga një qendër në Sofie të Bullgarisë?
Blerja e televizionit të mirënjohur nga rusët a e deformon keqas tregun shqiptar mediatik dhe a i hap udhë luftës së ashtuquajtur “Soft–War”?
A është e vërtetë se fushata mediatike që Moska ka nisur në Shqipëri është e përqendruar te opinioni publik dhe perceptimi i tyre që Shtetet e Bashkuara kanë një farë tërheqje nga angazhimi i tyre në rajon dhe BE ndodhet në krizë identiteti?
Përse zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hot Brian Yee është shprehur se rajoni i Ballkanit po përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990? Përse ai bëri thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan, me qëllim që të zbrapset ndikimi rus dhe të vendoset stabiliteti? Këto përgënjeshtrime i kanë parasysh edhe këto deklarata?
Këtyre pyetjeve nuk i dha kush përgjigje, madje përgjigjet u shmangën, duke u marrë me zotin Mark Gjonaj, nëse është autor i shkrimit apo jo.
Natyrisht, përgënjeshtrimi i zotërisë në fjalë erdhi edhe në 27.al, ashtu si erdhi shkrimi. Ne nuk e hoqëm atë nga faqja, sepse lajmet e përcjella janë të vërteta, kurse autorësia ka pak gjasë të na hyjë në punë, sepse mund të ishte edhe me pseudonim.
Fakti është që makina e ambasadorit rus parkohet shpesh e më shpesh në oborrin e medias informative që është vënë në shitje, megjithëse deri tani tani ai ka dhënë vetëm një intervistë dhe nuk ka pse të shkojë kaq shpesh në këtë vend.
Së shpejti, do të dalë në dritë emri i manjatit rus që qëndron pas këtij operacioni të komplikuar dhe natyrisht edhe kompania që ai drejton.