Pas një ndërprerjeje Elhaida Dani, do të vijë me një këngë të re, të titulluar Ruby.
Producenti i saj është Arthur Pingrey, i nominuar tri herë për Oscar në Këngën më të Mirë Origjinale, së fundmi për “The Empty Chair” të kënduar nga Sting.
“Kënga është ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë, jam shumë e emocionuar! Menaxheri më kontaktoi dhe më foli për këtë djalë shumë të talentuar që shkruan dhe këndon shumë bukur dhe që ai donte ta këndonte këtë këngë me mua.
Fillimisht desha ta dëgjoja këngën dhe atë. Rashë në dashuri me këngën dhe fillova të imagjinoja për ne të dy që e këndonim bashkë. E kuptova që doja ta bëja këtë.
Aktualisht jam në tur në Francë në rolin e ciganes Esmeralda. Është bukur, por mendoj që është koha të nxjerr gjëra të reja për ata që më kanë mbështetur që nga fillimi”, ka thënë Elhaida e cila interpreton në musical-in Notre Dame de Paris duke zbuluar që Ruby nuk është i vetmi projekt mes saj dhe këngëtarit të ri.