Me rastin e 139-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Komuna e Prizrenit ka organizuar një konferencë shkencore, për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme të interesave shqiptare, në kohën kur vendi ndodhej i këcënuar nga aneksimi dhe coptimi.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja, nënvizoi këtë moment të rëndësishëm, duke kujtuar shtypjen e padrejtë që i është bërë popullit shqiptar prej shekujsh.
Ramadan Muja: Shqiptarët në kohën e Lidhjes ishin jo vetëm të privuar për të ushtruar të drejtat e tyre në tokën e tyre pellazgo-ilire, por ishin padrejtësisht të shtypur si nga pushtimi shekullor osman, nga lufta egoiste e fqinjëve sllavë për të coptuar trojet etnike.
Për të nderuar këtë ditë në Prizren konferencën shkencore “Vëllezerit Frashëri – Përmeti dhe Kosova”, morën pjesë akademikë, historianë dhe qytetarë të tjerë nga trevat mbarëshqiptare. Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe përfaqësues nga Presheva.
Aktivitetet në ditët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të vazhdojnë deri më 12 qershor, kur Prizreni do të kremtojë edhe ditën e çlirimit.