Gjatë vizitës në Berlin, Presidenti në ikje Bujar Nishani në një intervistë për “Deutsche Welle-n” foli për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria është duke u përgatitur të anëtarësohet në të si një kontribuese, jo si konsumatore.
“Natyrisht që objektivi i të gjithë shqiptarëve për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane, ka rëndësi parësore për të gjithë ne. Pse ka kaluar kaq kohë? Sepse na duhet të përgatitemi, të jemi gati. Sepse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian për shqiptarët përbën një ëndërr, është një objektiv politik, është një përkushtim shoqëror. Nga ana tjetër na duhet të bëhemi gati, të përgatitemi, sepse duam shumë të bëhemi pjesë e kësaj familjeje, por të anëtarësohemi si kontribues, jo si konsumatorë. Kështu që ky është një proces dhe mbi këtë na duhet të mbështetemi”, ka thënë Nishani.