Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ideja e “Shqipërisë së Madhe” vjen nga Serbia e cila e ka hedhur si tezë për të mbuluar pretendimet e saj për krijimin e “Serbisë së Madhe”.
Në një intervistë për të përditshmen “Salzburger Nachrichten”, Thaçim ka folur për takimin e tij me presidentin austriak, Van der Bellen, për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.
Pjesë nga intervista
Ishte i suksesshëm takimi me Presidentin Van der Bellen?
Ishte një takim i shkëlqyer. Ne diskutuam mbi marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Austrisë dhe Kosovës, nuk ka çështje të hapura mes dy vendeve tona. Ne kemi diskutuar vetëm se si ne mund të thellojmë edhe më tutje bashkëpunimin e mirë në mes nesh. Austria ishte ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën dhe për këtë jemi shumë mirënjohës. Austria është gjithashtu një nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Unë shfrytëzova rastin për të ftuar investitorë të tjerë. Gjithashtu, kam ftuar edhe Presidentin Van Der Bellen për ta vizituar Kosovën.
Cili është vizioni juaj për rajonin? Ideja e Shqipërisë së Madhe për krijimin e një shteti luan ndonjë rol?
Ideja e Shqipërisë së Madhe vjen nga Beogradi dhe jo nga Kosova apo nga Shqipëria. Kjo është një dezinformatë e Serbisë, me qëllim të mbulimit të synimeve të tyre për krijimin e Serbisë së Madhe. Ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është një ide që erdhi nga shqiptarët. Vetëm Beogradi e mban këtë diskutim të gjallë.