Pas akimimit të së Partisë Agrare Ambjentaliste Kreu i KQZ-së, Denar Biba ka reaguar duke thënë se kërkesa e kësaj partie nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në kolegjin zgjedhor.
Me anë të një postimi në Fcaebook, Biba shkruan se së pari, PAA bëri kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhje pa paraqitur listë kandidatësh. Më pas, PAA paraqiti kërkesë në KQZ për t’u ç’regjistruar. Automatikisht PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor. Për pasojë PAA nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në kolegjin zgjedhor.
Postimi i plotë
Dëgjova për ankimin e paraqitur nga Partia Agrare Ambjentaliste (PAA) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, me objekt: “Kundërshtimi i vendimeve të KQZ…”.
Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për tu çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.
Automatikisht, PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor, për shkak të ligjit dhe, për pasojë, nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata “të cilët paraqesin listë kandidatësh” (nenet 145/1 e 63/1 të KZ).
Në vijim legjislacioni përkatës:
Neni 145
E drejta e ankimit në gjykatë
Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
Neni 2 Përkufizime
“Subjekte zgjedhore” janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.