Agjencia e Trajtimit të Pronave njoftoi dje se ka përfunduar procesin e vlerësimit ekonomik të vendimeve përfundimtare të vitit 1995, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit në të gjithë vendin dhe i ka bërë publike ato në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
Pas verifikimit, u identifikuan 6838 vendime të vitit 1995, të cilat iu kanë njohur të drejtën e kompensimit subjekteve të shpronësuar, për të gjithë territorin e Republikës.
Për vendimet e vlerësuara financiarisht të vitit 1995, subjektet mund të paraqiten pranë Agjencisë së pronave për të aplikuar për ekzekutimin e vendimit të vlerësuar.
Ndërkohë, subjektet e interesuar, të cilët evidentojnë të meta apo pasaktësi, kanë të drejtë të plotësojnë dokumentacionin e munguar dhe të nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.
Me përfundimin e procesit të vlerësimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për vitin 1995, numri total i vendimeve të viteve 1993, 1994 dhe 1995 të publikuara arrin në 10.763. Aktualisht, ATP vijon punën me vlerësimin e vendimeve të vitit 1996.