Ka kaluar rreth 1 muaj nga vrasja e Artan Cukut,por ngjarja ende nuk ka një autor
Një person që shfaqet në disa video pak minuta pasi ka qëlluar ndaj ish-drejtorit të Policisë Vlorë mbrëmjen e 8 prillit, ende nuk është identifikuar nga Policia. Informacionet nga qytetarët nuk kanë ndikuar në zbulimin e personit që qëlloi ndaj Artan Cukut 4 herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Grupi hetimor bën me dije se ka marrë disa informata të rëndësishme për personin që shfaqet në video, por ende nuk kanë të dhëna të sakta që mund të çojnë në zbulimin e tij.
Të gjitha pistat e hetimit janë ezauruar deri më tani dhe nuk është zbuluar ndonjë e dhënë që mund të çojë në zbulimin e autorëve. Grupi hetimor ka shqyrtuar të gjitha dosjet që ka hetuar Artan Cuku në kohën që ka qenë drejtues në Polici, po ashtu edhe nga konflikti që Cuku ka patur me një familje në Shkodër, ka rezultuar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Pista e fundit, ajo e konflikteve për kromin në Bulqizë, për shkak se Cuku punonte në një kompani të sigurisë private që ruante minierën, gjithashtu nuk i ka ndihmuar hetuesit.