Aleati i Lulzim Bashës, kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka ka deklaruar se opozita duhet të marrë disa garanci për zgjedhjet me një qeveri teknike dhe të pranojë të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër.
I ftuar në forumin e hapur të organizuar nga UET, Duka tha se Basha do të duhej të pranonte platformën ndërkombëtare të zgjidhjes të ofruar për kompromis nga të dërguarit e Brukselit, McAllister dhe Hanh.
“Unë do t’a pranoja, me pak ndryshime. Mund të pranoja që të shkonim në zgjedhje me të njëjtin kryeministër dhe që qeveria teknike të jetë reale, teknike jo me njerëz të përcaktuar nga Rama, siç është bërë oferta, edhe natyrisht të kishte një datë tjetër zgjedhjesh sepse në këtë datë janë të pamundura. Plus të paktën numërimin elektronik. Votimi elektronik mund të jetë i vështirë për shkak të kohës por numërimi elektronik në mënyrë taksative. Janë mbi 50 parti, ku dhe më e vogla lodhet, ka njerëzit e saj, simpatizantët e saj dhe nuk i numërohen votat. Dihet eksperienca në zgjedhjet e kaluara që këto partitë e vogla nuk e fitojnë as votën e vet sepse e ndajnë nëse janë majtas e marrin të majtët, nëse janë djathtas e marrin të djathtët”- tha Duka.