Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidencën franceze, Marine le Pen ka njoftuar se do të lërë drejtimin e partisë së saj Fronti Kombëtar.
Kjo lëvizje vjen vetëm një ditë pasi ajo arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballet me kandidatin e qendrës Emmanuel Macron.
Në një deklaratë për televizonin francez France 2, Le Pen u shpreh që “…sonte vendosa që të lë presidencën e Frontit Kombëtar. Unë do të jem mbi konsideratat partiake”.
Në sondazhet e opinionit ka rezultuar se favorit i raundit te dytë është Macron. Megjithatë Le Pen shprehet: “Ne mund të fitojmë! Ne do të fitojmë!”
Nuk është e qartë nëse vendimi i saj do të jetë i përhershëm, ndërsa ajo deklaroi se Franca po i afrohet një momenti vendimtar. Le Pen mori drejtimin e Frontit Kombëtar në janar 2011 nga babai i saj dhe ndihmoi që kjo parti të arrijë sukses të madh në zgjedhje rajonale.
/bbc/