Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkoi sot partive politike, të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë brenda afatit ligjor, 29 prilli. Koha nga 29 prilli deri më 5 maj, i duhet KQZ-së për të kryer verifikimin e kandidatëve sipas kërkesave të reja ligjore. Dorëzimi i listave është momenti kur regjistrimi i një partie përfundon plotësisht. Për zgjedhjet e 18 qershorit, janë regjistruar PS, LSI, PDIU, disa parti të vogla, por edhe Partia Agrare që është pjesë e opozitës, e cila bëri një kërkesë për çregjistrim, por që nuk ka vlerë ligjore.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, tha se KQZ ka vendosur që të mos ketë afat të dytë për shtyrjen e këtij procesi.
Në KQZ rezultojnë të paregjistruara partitë e opozitës, por në Kodin Zgjedhor parashikohen hapësira të cilat mund të japin mundësinë që partitë të hyjnë në zgjedhje deri në momentin që nuk ka filluar printimi i votës zgjedhore.