Një burrë i shtrirë dhe gjakosur është gjetur nga kalimtarët e rastit në varrezat e Tufinës të martën pasdite. Grupi hetimor konstatoi se bëhej fjalë për Shyqyri Elez Koçin, 63 vjeç, banues në Tiranë.
Në gjendje të dehur, ai kishte prerë damarët mbi varrin e së bijës me qëllim që t’i jepte fund jetës. Sipas policisë, kohë më parë Koçi kishte humbur të bijën në moshën 19-vjeçare dhe ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike. Fatmirësisht ai është shpëtuar dhe ndodhet i shtruar në spital.
Përpara grupit hetimor ai ka thënë se kishte shkuar në varrezat e Tufinës për të takuar të bijën dhe prindërit që nuk jetonin më. “Doja që të bashkohesha me vajzën dhe prindërit sepse jeta ime nuk ka asnjë kuptim pa ata”- mësohet të ketë thënë përpara policisë 63-vjeçari.