Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu ka reaguar ashpër ndaj lajmit ku thuhej se ajo kishte thyer boktonin e Parlamentit, për shkak se vijon të punojë në zyrë.
Ajo deklaron se nuk e ka thyer bojkotin, por se ka zhvilluar një takim me një zyrtar të huaj, takim të cilin nuk mund ta bënte në kafe.
Ja deklarata e saj, pas përhapjes së këtyre lajmeve:
E fundit gjë që mund t’i bëj vetes është ta lejoj të viktimizohet nga disa gazetarë, kalemxhinj, thashethemexhinj, injorantë politikë e gjithë shpurën e këtij soji.
Ku doni të dilni me këtë lajm që meqë kam takuar dje zëvendësministrin e jashtëm estonez në zyrë, paskam thyer bojkotin?!
Cilin bojkot?!
Ka ndonjë bojkot për të zhvilluar takime pune?!
Ka ndonjë bojkot për takime me ndërkombëtarë?!
Apo duhet t’i bëjmë takimet në kafe?!
Pse nuk bëtë lajm për thyerje bojkoti, kur takuam në KUVEND bashkë me kolegët Paloka e Spaho, zonjën Mogherini?!
Të dashur miq e ish-miq e hiç-miq të medias:
Bëhuni seriozë!
I keni lejuar boll vetes të jeni kontributorë realë e me
peshë në prodhimin e lajmeve të gënjeshtërta.
Ky lavazh truri, kjo trallisje e cektësi që ka kjo shoqëri sot, është edhe në saj të punës tuaj të palodhur për të përfolur, në vend të të folurit, për të gjykuar, në vend të të menduarit, për të orientuar mendime e veprime kallëp.
Siç i doni ju siç i gjykoni ju!
Po banalizoni të vërtetën! Dhe kjo është kriza juaj, jo e imja!
Shqipëria sot është vendi i njëqind krizave. Por, më e rënda është verbëria morale e ligësia e fshehur pas parimeve që po trimëron kanibalët e gjuhës, gaztorët e oborreve të pushtetit dhe këta heronjtë e fallsifikimit të përditshëm, qofshin politikanë, gazetarë apo biznesmenë.