Nga Teuta Kamberi-Llalla
Mos përdorimi i gjuhës shqipe për ne shqiptarët që jetojmë në Maqedoni është sikur të kemi humbur atdheun dhe për këtë humbje, faji në radhë të parë bie mbi klasën tonë politike dhe tek nëpunësit shqiptarë që punojnë nëpër institucionet shtetërore, ku gjuha shqipe garantohet me ligj. Pasi sllavët na fyen me Enciklopedinë, ofendimet vazhduan në librat shkollorë, me të cilët mësojnë fëmijët shqiptarë. Fenomeni i çuditshëm po ndodh viteve të fundit me përdorimin e gjuhës së shkruar shqipe. Sipas më të moshuarve mësojmë se gjuha shqipe ishte gjuhë zyrtare në ish-Jugosllavi, pra edhe në Maqedoni. Siç duket dikush po i shtyn shqiptarët të ndiejnë nostalgji për jetën nën diktaturën jugosllave dhe kjo nuk bëhet pa qëllim.
Injorimi i gjuhës sonë kombëtare fillon nga çertifikatat personale, për të vazhduar me letërnjoftimet dhe pasaportat, ku shpeshherë bashkëkombasit tanë, të cilët punojnë në zyrat ku jepen këto dokumente na përgjigjen shpeshherë se nuk ka pasaporta në gjuhën shqipe. Çertifikatat në heshtje na i japin vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase dhe nëse dikush e kërkon në gjuhën amtare, nëpunësit e shohin shtrembër, me përbuzje. Pa folur që shpeshherë emrat dhe mbiemrat nuk i shkruajnë me shkronja latine, por në gjuhën sllave duke bërë ndryshimin e gërmave.
Siç duket institucionet shtetërore dhe firmat e mëdha private i kanë shpallur luftë të hapur përdorimit të gjuhës shqipe, kjo luftë vërehet kudo, kurse deputetët tanë heshtin përpara kësaj tragjedie. Duket se sa herë që afrohen zgjedhjet dëgjohen çjerrjet dhe britmat e ndonjë pseudopatrioti i orëve të vonuara për ta ngritur çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, ashtu siç i takon me ligjet e cunguara, të votuara nga çorbëngrënësit deputetë shqiptarë, të cilët keqpërdorin votëbesimin e votuesve të tyre.
Poshtërimi i shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit të Maqedonisë u duk edhe me aprovimin e ligjit për përdorim e Flamurit Kombëtar, ku deputetët shqiptarë votuan ligjin e zvogëlimit të flamurit tonë, pra flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm i zvogëluat 30% nga përmasat e tij zyrtare. Ky është një devijim i rëndë nga ato përmasa që njihet kudo në botë zyrtarisht flamuri shqiptar.
Duke vërejtur edhe shkeljet e institucioneve shtetërore për përdhosjen e flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët duhet t’i bëjnë pyetje vetes, nëse janë qytetarë vendas në Maqedoni apo ardhacakë?
Shqiptarët duhet të zgjedhin midis qytetarit vendas dhe qytetarit ardhacak. Nëse ndihen vendas atëherë duhet të mbrojmë identitetin e tyre kombëtar, duhet të luftojnë për t’u ndierë të barabartë me të drejta të plota ashtu si sllavo-maqedonasit, sepse fjala “qytetar” ka kuptimin të qenit i përhershëm, i barabartë me të tjerët para çdo ligji. Nëse shqiptarët ndihen ardhacakë, atëherë duhet të heshtim, të nënshtrohemi dhe ta ndiejmë veten të përkohshëm, as me Maqedoninë e as me Shqipërinë. (Të gjithë e dimë se si na quajnë në Shqipëri).
Prandaj secili nga ne duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për të mbrojtur identitetin kombëtare, në rast se nuk dëshirojmë të jetojmë nën diktaturën e mentaliteteve të kohëve të shkuara, të gjuhës së urrejtjes dhe dorës me kamxhik mbi kurriz. Për të mos ngritur dilemën se: na pengojnë, apo pengohemi me këmbët tona?