Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati me ftesë të homologut Iranian zhvilloi një vizitë zyrtare në Teheran.
Ministri Bushati shprehu vlerësimin për rolin e qeverisë iraniane dhe vetë Presidentit në arritjen e marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit me aktorët ndërkombëtarë, si një marrëveshje në shërbim të sigurisë dhe paqes në botë. Presidenti Rouhani vlerësoi miqësinë mes dy popujve si dhe nënvizoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialeve për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm, vlerësuan rëndësinë e vendosjes së kontakteve dhe inkurajuan shkëmbimin e informacioneve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Ministrat shkëmbyen pikëpamje dhe qëndrime rreth zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht situatën në Lindjen e Mesme, luftën ndaj terrorizmit dhe nevojën për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me këto sfida.
Gjatë vizitës së tij dyditore, Ministri Bushati parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës si një hap tejet i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit në rajonin e Europës Juglindore.