Nga Ilir Hoxholli
I lindur dhe rritur në rrugicat tironce, ku luanim me top dhe nuk shqetesoheshim nga makinat. Më bënte përshtypje dhe nuk e kuptoja pse kisha një ndjenjë frike nga disa bojaxhinj që banonin në katin e pestë. Ishin tre vëllezër të ndershëm që shikonin punët e tyre, ishin came, por ashtu nën zë, kur kalonin të rriturit heshtnin dhe dëgjohej ajo shprehja që kurrë nuk e kuptova: “këta janë çamë”.
Me ardhjen e demokracisë e morëm njërin prej tyre të na lyente shtëpinë, rrija për ta parë si sillej. Duart i kishte flori dhe ishte mjeshtër për të lyer pastër dhe shpejt. S’e di pse e shikoja me idenë për të faktuar që diçka nuk shkon. Mbaroi në një kohë rekord, mori shumë pak lekë për komshillik. Kjo ka qenë marrëdhënia e parë që pata me një çam. Mbeta i zhgënjyer, pasi prisja ndonjë pabesi, por babai im më buzëqeshi dhe më tha: “Janë njerëz të ndershëm bir”. Nuk e kuptoja pse kishte një hendek dhe pse shikoheshin si “armiq”. Sot, e kuptoj dhe i jap të drejtë pse ata nuk flisnin shumë, të gjithë ne pritnin që ata të gabonin për të faktuar paragjykimet tona që nuk e di pse i kishim në kokë në atë kohë. Sot, kam plot miq çamë, sot e di pse ata nuk flisnin, sot e di se ata i kishim persekutuar me sjelljet tona. Sot e di që ua kishim shkelur çdo të drejtë.
Ishin persekutuar në trojet e tyre, por kjo nuk mjaftonte që t’i persekutonim dhe ne. Pabesia e tyre historike ishte se ikën për t’i shpëtuar vrasjeve dhe torturave. Me shprehjen “guri i rëndë në vendin e vet”, e kuptoj se çamët nuk do të gjejnë paqe shpirtërore pa i parë varret e gjyshërve, pa i qarë gjyshërit që nuk e shitën identitetin e tyre dhe pranuan të vriten për një të drejtë që sot ia vlen të respektohet për heroizmin e tyre. S’e kuptova kurrë, pse ju paragjykuam, ishit njerëz punëtorë, kokulur, bënit çdo punë dhe mbijetuat krenarë.
Sot, ju kemi një borxh, për t’ju thënë “na falni”, se ju kishit brenga të mëdha që ne kurrë nuk i kuptuam dhe që historia për ju na u fsheh për të mos e ditur, pabesitë e gërmës “ç” ishin fantazitë e një diktature që na mashtroi të gjithëve. Sot, jeni krenarë, sot Europa jua njeh plagët, sot ju jeni shqiptarët që me urtësinë dhe durimin tuaj na keni treguar që dini të falni dhe t’u jepni edhe të tjerëve mundësinë të falin veten për sjelljet ndaj jush…
mir shum por ka edhe me bo shum mo mir.