Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani gjatë një vizite në Institutin e Mjekësisë Ligjore, u shpreh se refuzimi i kërkesës që të sëmurët me kancer në burgje të përfitonin nga amnistia e fundvitit, është i papranueshëm.
“Për çështjen e mospranimit për të aministuar të sëmurët me patologji malinje dhe që janë në fazë terminale dhe të ngremë akuza, alibi të paqena, unë këtë nuk e kam pranuar dhe nuk kam ndërmend ta pranoj”, tha Manjani.
I pyetur për polemikat e krijuara për këtë amnisti Manjani tha se nuk do donte të jepte një përgjigje në morg.
“Të falenderoj për pyetjen, por nëse do të vazhdojmë edhe më shumë do të përfundojmë te historia e koalicionit. Mos mendoni se koalicioni do të zgjidhet këtu te morgu”.
Ministri i Drejtësisë i kërkoi prokurorëve dhe gjykatësve të bazohen më shumë në vendimet e dhëna nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.