Partia Demokratike dhe deputetë të qarkut të durrsit kanë dorëzuar ditën e sotme kërkesën zyrare për shkarkim nga detyra të Kryeatrit të Bashkisë, Vangjush Dako.
Demokratët e kanë akuzuar kryebashkiakun “për shkeljet e rënda të ligjit duke favorizuar lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, kreu i krimit të organizuar në këtë qytet”.
Sipas opozitës, Dako ka garantuar punësimin e Lulzim Berishës, duke shkelur ligjin.
“Justifikimi i deklaruar publikisht nga kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, sipas të cilit bëhet fjalë për punë vullnetare dhe pa pagesë, është i pambështetur ligjërisht. Askush nuk mund të punësohet në mënyrë vullnetare në një institucion shtetëror, sepse puna duhet të shpërblehet, ndryshe përbën cenim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një i dënuar mund të detyrohet të punojë pa pagesë vetëm në rastin e një vendimi gjyqësor, që i pezullon dënimin dhe e detyron të kryej një punës në interes publik”, thuhet në kërkesën e demokratëve.