Policia e Fierit ka nisur procedimin penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës për gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, i cili dha vendimin e mbrojtjes për Liljana Rukajn, gruan që gjeti vdekjen ditën e shtunë pasi e hedhur nga kati i katërt nga bashkëshorti i saj.
Gjyqtari Ergys Selmani akuzohet për shpërdorim detyre pasi sipas policisë, rezulton se në shkelje të ligjit ka neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë të vendimit për mbrojtjen e Liljana Rukos tek autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e saj.
Nisjen e hetimit për gjyqtarin në fjalë e ka përshëndetur përmes rrjeteve sociale ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Zyrtarisht ka një hetim të çelur ndaj proçesit të marrjes dhe të zbatimit të Urdhërit të Mbrojtjes për Liljana Rukajn. Përshëndes prokurorinë dhe e nxis atë të zbardhë këtë çështje, jo vetëm për të evidentuar përgjegjësit, por edhe për të disiplinuar sjelljen shtetërore për raste të tjera. Ky ishte reagimi i duhur! Këtë gjë kërkova që dje. Tani t’ja lëmë drejtësisë në dorë!”, thotë ai.