Vjedhja e votave, modeli komunist si mallkim që e përndjek Shqipërinë deri në ditët e sotme. Bajram Isufi, Xhafer Muja, Ramdan Halilaj në Kukës dhe Kleanth Mineu, Sul Ferçanit, Maliq Eleni Balo Veliu në Kavajë, personat që morën “kokrrat” dhe i hodhën në kutinë e Frontit
Si sot 71 vite më parë, më datë 2 Dhjetor 1945, Shqipëria e dominuar nga komunistët, hyri në zgjedhjet e para për të përcaktuar sistemin politik që do të qeveriste vendin. Është pikërisht kjo ditë, nga ku e ka origjinën edhe manipulimi i zgjedhjeve, një mallkim që e ndjek Shqipërinë edhe sot. Diktatori Enver Hoxha, u kujdes që menjëherë pas luftës të krijonte mekanizmat e duhur për të ushtruar presion në popull që të mos lejohej vota për asnjë parti apo individ, që mendonte ndryshe nga komunistët.
Nën ndikimin e fuqive aleate, u vendos të bëheshin zgjedhjet, për të cilat Enver Hoxha dhe komunistët e tjerë i premtuan SHBA-së dhe Britanisë se do të ishin “pluraliste, të lira e të kontrolluara dhe nga bota”. Ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore.
Votimi me kokrra
Votimet, u vendos të bëheshin të fshehta. Ndërsa votat, që ishin kokrra me ngjyra të veçanta, hidheshin në dy kuti të ndryshme. Njëra kuti ishte e komunistëve, ndërsa kutia tjetër ishte e opozitarëve ose siç quhej ndryshe, kutia pa kandidat. Sipas dëshmive, dokumenteve të kohës dhe materialeve të botuara në shtypin e huaj të asaj kohe, me kutitë u bë loja e komunistëve me votat dhe me presionin psikologjik ndaj votuesve, të deklaruar e të cilësuar “kundërshtarë të regjimit komunist”. Kutia ku do të hidheshin votat (kokrrat) e opozitës, ishte bërë e tillë nga komunistët, që në fund të saj, kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” prej kokrrash, të shkaktonin tingull. Ky tingull, sipas “provave” të bëra, dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë, për të zbuluar se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste dhe të pushtetit të Enver Hoxhës. Kjo lojë e bënte pa vlerë deklarimin e komunistëve, për “votime të lira e të fshehta”.
Manipulimi
Megjithëse kishin të gjithë situatën në dorë, përmes presionit për të mos e lejuar popullsinë të votojë për kandidatët jokomunistë të opozitës, e cila ishte jo shumë e organizuar, komunisëtët patën nevojë të manipulojnë zgjedhjet.
27.al, sjell dy dokumente zyrtare të cilat vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve në dy qëndra votimi, në një fshat në Kukës dhe në një tjetër në Kavajë. Në dokumente identifikohen emrat që ishin ngarkuar të hiqnin kokrra nga kutia pa kandidat, dhe t’i hidhnin tek kutia e Frontit demokratik, pra atë të PKSH-së së Enver Hoxhës. Shihni më poshte detajet e këtyre dy letrave dhe përpjekjet e komunistëve për të mbajtur të fshehur manipulimin.
Datë 6 dhjetor 1945
Koçi Koke
Jemi informuar se në katundin Loinë të Lurës Këshilli Mbikëqyrës, ka marrë 53 vota nga kutia pa kandidat dhe i ka hedhur në të Frontit Demokratik, tue pasë dijeni vetëm tre persona të këshillit në fjalë. Elementi që ka dhënë këtë informatë është një nga tre anëtarët e këtij këshilli, Bajram Isufi sekretari i tretë i nënprefektuarës së Bicajt. Ky i ka deklaruar sekretarit të pushtetit Bicaj se i ka bindë dy shokët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës për ta bërë këtë. Shokëve të tij të Këshillit Mbikëqyrës u ka thënë kështu: se ju nuk keni punue mirë në popull dhe nuk i kini skjarue se cila është kutia e frontit dhe prandaj do të jeni përgjegjës e në sy të keq.
Ata janë përgjegjur: rregulloje si të mundesh se ne nuk kemi dashur të votohet kundër frontit. Së fundi kanë rënë dakord dhe kanë kalue 53 vota nga kutia pa kandidat në atë të frontit. Me sa deklaron Bajram Isufi, kjo çështje është e kufizueme në mes të këtyre personave të Këshillit Mbikëqyrës.
Proceset dhe dokumentet e tjera ligjore në lidhje me votimet e atij katundi, kanë ardhur në komisionin e qarkut në rregull dhe nuk lënë asnjë dyshim ligjor. Tash po u përshkruajmë shkurtaz biografinë e Barjam Isufit: Elemen aventurier, i lëkundshëm, frikacak, don të duket. Element i palidhur me Frontin por as që e don reaksionin. Indiferent. Me sa kuptojmë ne këtë punë, e ka bërë gjoja për të fituar kredi kundrejt Frontit. Anëtari tjetër Xhafer Muja Afëzi, 19 vjeç mësues filloreje në katundin Lojë, element i padjallzuar. Ungji është Din Muja katundar i mesëm, i squet dhe ka kaluar një jetë politike aventurierësh. Dyshojmë se djali mund t’i tregojë ungjit të tij. Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës, katundari i thjeshtë nga Loja, Bajram Isufi, është porositë nga sekretari i Komitetit Ekzekutiv Ramadan Alilaj, që çështja rigorozisht të mbetet konspirative tue ia heq vërjetjen se ka bërë gabim të madh dhe se Fronti nuk ndihmohet në këtë mënyrë. Shoku Ramdan Halilaj është edhe sekretar i komisionit të zgjedhjeve të një rrethi tjetër elektoral e jo për katundin Lojë. Jemi lajmëruar për këtë mbrëmë natën. Lutemi urgjentisht na njoftoni mënyrën e veprimit. Ne jemi në dilemë e nuk dimë si të veprojmë.
Çështja është konspirative dhe e kufizueme deri më tash. Presim përgjigje shumë urgjente.
Abedini!
Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare
Në lidhje me ç’fjalosëm dje, puna qëndron ndryshe. Është bërë ngatërresë në emër të Kleanth Mineut dhe të Kleanth Vorfit. Në qëndrën e Kavajës na kanë futur për të vëllain e Klenath Mineut, Piero Mineu. Kiçua që ishte në Kavajë e tregon në këtë mënyrë çështjen: Piero Mineu në bashkëpunim dhe në dijeni të Këshillit Mbikëqyrës ku ka qënë edhe një anëtar partie, Balo Veliu, kanë fshehur kokrrat e kutisë pa kandidat. Piero Mineu ai me mburrje i është fjalosur sekretarit të Frontit, Jemlush Thaçi, se ka bërë një punë të tillë dhe kështu i kishte bërë mirë gjoja frontit. Jemlushi i dha përgjigjen e duhur duke i vënë në dukje se kjo ishte një shkelje ligji dhe se për këtë ligji të dënon dhe bile rreptë. Piero Mineu është tronditur për këtë dhe e pret ndonjë dënim se shifet i ç’qetësuar. Por Pjero ka folur dhe me Maliq Elenin sekretar i komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës për këtë punë. Tani çështja është në dijeni të këshillit Mbikëqyrës të Jamlushit, Maliqit, Sul Ferçanit. Qëndrimi i Piero Mineut nuk është plotësisht me frontin, por këtë e ka bërë për të fituar kredi në Front.
Ka mundësi që ky tiu thotë dhe tjetër kujt. Ne shokëve të Kavajës i kemi porositur që të mos e trumbetojnë një gjë të tillë përderisa vetë komisioni i zgjedhjeve për nënprefekturën nuk e ka ngritur këtë si problem. Si dhe Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka se ku bazohet se ka bërë një punë të tillë. Karshi Piero Mineut ne u mjaftuem vetëm me qëndrimin që mbajti që në fillim, Jamlush Thaçi, duke e quajtur të gabuar veprimin e tij, në qoftë se e kishte bërë. Që ta thërrasim përsëri Piero Mineun në formë gjyqi, ose për ta këshilluar që të mos e hapë një gjë të tillë, nuk na u duke arsyeshme. Meqënëse s’është anëtar partie dhe se ne dyshojmë të jetë provokator. Anëtari i partisë, Seit Veliu, që bëntë pjesë në Kshillin Mbikëqyrës është një element mjaft i dobët që me revizionimin në parti mbetet jashtë. Megjithkëtë ky u thirr nga shokët në Kavajë (Jamlushi), dhe iu bë një vërejtje e rëndë për gabimin e madh që ka bërë. Gjithashtu u porosit që të mos e pëshpëritë asnjë gjysëm fjale mbi këtë çështje dhe me Piero Mineun të mos provokojë asnjë bisedë rreth këtij problem, asnjëherë. Çështja megjithse nuk është siç neve e biseduam dje me shokët e Kavajës, pa të ngatërruar, Klenath Vorfin me Kleanth Mineun por më e ngatërruar akoma, neve na duket që të jetë e kufizuar. Dhe nuk besojmë që të përgjithësohet dhe të merret vesh nga populli.
Megjithkëtë shikojeni edhe ju përsëri dhe na këshilloni ndonjë qëndrim më të mirë që neve duhet të mbajmë karshi kësaj çështje.
Durrës 9.12 1945