Vendimi i deputetes Marjana Koçeku për t’u shkëputur nga Partia Socialiste ka sjellë reagimin e parë nga grupi parlamentar socialist.
Burime brenda PS-së i bëjnë me dije se kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, ka informuar deputetët socialistë se do të mbajë një qëndrim publik për këtë çështje në një moment tjetër.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se deri tani Balla nuk ka mundur të komunikojë drejtpërdrejt me Koçekun.
Deputetja e zgjedhur në Qarkun e Shkodrës njoftoi një ditë më parë largimin nga grupi parlamentar i PS-së, duke bërë të ditur se do të vazhdojë ushtrimin e mandatit si deputete e pavarur.
Mungesa e saj u vu re edhe në aktivitetin e organizuar me rastin e 34-vjetorit të Partisë Socialiste në sheshin “Italia” në Tiranë, ku ajo nuk mori pjesë.
Duke shpjeguar vendimin e saj, Koçeku u shpreh se orientimi i saj politik vazhdon të udhëhiqet nga të njëjtat parime dhe vlera që ka pasur para përfshirjes në politikë.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, ka shkruar Koçeku.









