Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masat e sigurisë për pesë nga personat e arrestuar në kuadër të megaoperacionit të Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që goditi dy grupe të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në seancën e verifikimit të masave, gjykata la në fuqi masën “arrest në burg” për Orgest Birçajn, Dritan Agan, Edmond Jaupin dhe Orest Sotën, të cilët akuzohen si pjesë e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e mbi 6.7 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, GJKKO vendosi lirimin nga qelia për Gëzim Islamin, duke caktuar ndaj tij masën “detyrim paraqitjeje” dhe garanci pasurore në vlerën e 100 mijë eurove, për arsye shëndetësore.
Seanca gjyqësore nisi në orën 09:00 dhe u ndërpre për disa orë, pasi avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore. Më pas, procesi vijoi në praninë e kreut të SPAK, Altin Dumani, prokurores Elida Kaçkini dhe gjyqtares Flojera Davidhi.
Sipas hetimeve, dyshohet se në krye të grupeve kriminale qëndrojnë Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai, ndërsa rrjeti kriminal shtrihej nga laboratorët e kokainës në Ekuador dhe Kolumbi deri në magazina në Belgjikë e Holandë. Droga dyshohet se fshihej në ngarkesa me qymyr, fruta dhe sojë për t’u trafikuar në Europë.
Në dosje përmendet edhe roli i Orgest Birçajt, pronar i kompanisë “Top Seven”, i dyshuar për organizimin e dërgimit të punëtorëve shqiptarë drejt laboratorëve në Amerikën Latine përmes agjencive të udhëtimit, si dhe përfshirja e personave të tjerë në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes.
Operacioni i 12 qershorit rezultoi me lëshimin e 20 masave sigurie, përfshirë arrestime dhe persona në kërkim. Autoritetet kanë sekuestruar vila, llogari bankare, automjete luksoze dhe prona në disa qytete bregdetare dhe urbane në Shqipëri, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera të dyshuara si produkt i aktivitetit kriminal.
Ata i pastronin parate duke investuar, kryesisht në sektorin e ndërtimit ku dalin të përfshirë biznesmenët Ilir Shtufi dhe Artur Shehu.
Artur Shehu është pronar i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz që ka nxitur protesta të fuqishme në tiranë që po vijojnë prej 12 ditësh.
Kokat e grupit që trafikonte drogë dyshohet se ishin Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai të cilët ndodhen jashtë vendit. Drogën ata e çonin kryesisht drejt Belgjikës dhe Holandës përmes kompanive të transportit detar në formën e qymyrit të drurit, pastave të frutave ose në pako të fshehura në kontejnerë.
Përpunimi dhe ekstraktimi kimik i kokainës kryhej në magazina apo ambiente të marra me qira në këto shtete dhe më pas tregtohej në gjithë Europën.
Në kuadër të këtyre hetimeve SPAK ka vendosur sekuestro preventive të disa kompanive, pronave të paluajtshme, automjeteve luksoze dhe llogarive bankare te te dyshuarve të cilat dyshohet se janë mbi 100 mln euro pasuri.
Luçiano Koçeku rezulton të jetë pronar 100% i shoqërisë ‘G.A.V Invest’ e themeluar në 2022 me veprimtari në fushën e projektimit, ndërtimit, prodhimit dhe shitblerjes së materialeve të ndërtimit.
Dhe në dy kompani të tjera me përqindje të ulët aksionesh. SPAK ka vendosur sekuestro edhe ndaj disa llogarive bankare të Artur Shehut dhe të Ilir Shtufit.
Mes emrave në sitë të SPAK është edhe biznesmeni Orgest Birçaj që merret me tregtim makinash luksoze.
gijotina.com/










