Nëntë muaj zgjati tenderi i për kositjen e barit të Spitalit Universitar të Traumës, ku bëhej pazari se cili do t’i xhironte 322 milionë lekë. Më në fund, në mbledhjen e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) më 20 maj 2026, u dha drita jeshile. Më konkretisht bëhet fjalë për prokurimin “Kryerje e shërbimit të Gjelbërimit në SUT” për një periudhë 36 mujore”.

Tenderi u njoftua fillimisht më 12 shtator 2025 dhe u mbajt më 13 tetor. Lëvizjet e drejtoreshës Edlira Bode që kishin nisur qysh me fryrjen e fondit limit do të diktonin lëkundje të mëdha në shpalljen e fituresit. Në datë 22 tetor 2025 fituesi ishte kompania “ASI INVEST” shpk.
Situata u përmbys pas Vitit të Ri. Më 7 janar 2026, pas ankesës në KPP, është shpallur fitues operatori ekonomik A l b G a r d e n shpk me pronar Pjetër Trashajn. Nuk e dimë se si e ka përllogaritur fondin limit komisioni i Edlira Bodes, por shifra nuk ka lidhje me tregun.

Këtë e nxjerr zbuluar niveli i ofertave të dorëzuara nga operatorët, që janë mbi 100 milionë lekë më poshtë fondit limit.

Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit. Qindra milionë lekë në një proces korruptiv!
Po cilat qenka shërbimet që ka porositur drejtoreshë Edlira? Sipas dokumenteve, procesi kryesor është “Pastrim me krehër bari i mjediseve të gjelbërta dhe largimi i tyre”. Më tej shpjegohet funksioni ekologjik i i këtij shërbimi, i cili “ndihmon në ajrosjen e barit, lejon qarkullimin e ajrit në rrënjë dhe përmirëson cilësinë e tokës; Rigjenerimin natyral të bimësisë, duke mbajtur të shëndetshme dhe të qëndrueshme në kohë sipërfaqet e gjelbërta; Përmirësimi i estetikës së territorit të SUT, duke krijuar një ambient më të pastër, të rregullt dhe të këndshëm për pacientët, vizitorët dhe stafin mjekësor”.

Pastaj vjen kositja, vaditja, mbjellje bari, krasitja e pemëve dhe e shkurreve, mirëmbjatja e luleve.
Operatori Ekonomik do të vendosë tabelat ndërgjegjësuese informuese në zona të gjelbërta. Pastaj është edhe lyerja me gëlqere e trungut të pemëve.

Këto janë punët e përditshme të disa kopshtarëve, që spitali mund t’i punësonte dhe t’i kursente këto qindra milionë lekë. Të gjithë e dimë se sa lulishte ka Spitali i Traumës dhe nuk justifikohet me asnjë lloj preventivi ky harxhim i buxhetit të shtetit.
Faktet të cojnë tek gjurmët e vjedhjes. Kalimi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në varësinë e ministrit Blendi Gonxhe, i ka dhënë kurajo drejtoreshës së SUT, Edlira Bode që të bëjë kërkesë prokurimi me një fond të fryrë për gjelbërimin.
Lulishtja është ajo që ka qenë edhe para tre vjetëve, kontrata është e njëjta (përvec datave dhe fondit limit) shërbimi që kërkohet nuk ka ndryshuar.
Në 7 tetor 2021, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme ( e cila ka kaluar në varësi të ministrit Blendi Gonxhe, me ndryshimin nga agjenci në operator) ka mbajtur tenderin me dy lote:
Loti 1 “Shërbim gjelbërimi për Spitalin Universitar të Traumës.
Loti 2 “Shërbim gjelbërimi për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Fondi limit i përgjithshëm i marrëveshjes kuadër: 259 milionë lekë pa TVSH.

Fondi limit i lotit 1: 165 milionë lekë pa TVSH.
Për lotin 2, fondi 93 milionë lekë pa TVSH. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës ishte 36 muaj (tre vjet) nga data e nënshkrimit.
Dyfishimi i fondit në vitin 2025 për të njëjtën gjë, të con tek dyshimi se këto para janë objekt korrupsioni. Gjatë 3 vjetëve të kaluara, sipas kontratës, duhet të ishin mbjellë 1560 copë pemë dekorative, 1326 copë shkurre dekorative 2586 metër linear ligustra, 2586 lule dekorative dhe 1600 metër katror lulishte. Dyshojmë se janë mbjelle kaq shumë pemë, duke parë terrenin e zhveshur rrotull Spitalit të traumës!

Por duke i marrë shifrat të mirëqena, tashmë duhej ulur kostoja duke e kufizuar vetëm në mirëmbajtjen e tyre, sic janë ujitja, krasitja, prashitja, apo ndërrimi i koshave dhe i stolave.
Përkundrazi drejtoresha Bode ka përllogaritur një super fond, që të kënaqë edhe shijet e Blendi Gonxhes në këtë tender.
Plani i manipulimit të tenderit është me dy faza. Në fillim tenderi i jepet një operatori që nuk plotëson kushtet. Në këtë mënyrë i hapet rruga kompanisë me të cilën është bërë pazari, ta ankimojë dhe të rregullojë “letrat” me KPP-në.
Kështu më 31 tetor 2025, në KPP është administruar ankesa e operatorit ekonomik “AlbGarden” SHPK. Firma e Pjetër Trashajt kundërshtonte kualifikimin e ofertës fituese të paraqitur nga operatori ekonomik “Asi Invest” SHPK në tender. Në të njëjtën ditë ka ankimuar edhe kompania “Rej” shpk e cila ishte skualifikuar nga gara.
Më 11 dhjetor 2025, KPP vendosi të pranojë dy ankesat dhe urdhëroi komisionin e tenderit të bënte rivlerësimin e ofertave të “Rej” shpk dhe të fituesit “Asi Invest” SHPK, duke e skualifikuar atë.
Ndërsa në mbledhjen e datës 29 dhjetor 2025, KPP verifikoi zbatimin e vendimit dhe vendosi të lejojë autoritetin kontraktor për vijimin me hapat e metejshem të tenderit.
Rezultati i kësaj manovre ishte shpallja e fituesit të ri, “Albgarden” e Pjetër Trashajt. Ndërsa firma “Rej” shpk nuk mori asgjë përvec se iu kthye tarifa e ankesës. Vendimi e linte sërish të skualifikuar kompaninë e dytë ankimuese.
Në këto kushte, “Rej” shpk, që shquhet për numrin e lartë të ankessave dhe e ka KPP si “shtëpinë” e saj, vendosi ta mbajë tenderin edhe për ca kohë të bllokuar. Për këtë “Rej” bëri një ankesë të re, duke fituar kohë në pritje të ndryshonin rrethanat.
Kështu në 19 janar 2026, është përcjellë pranë KPP një ankesë nga “Rej” shpk. Fillimisht denoncimi ishte refuzuar nga komisioni i tenderit.
KPP që e ka kohën me tepricë, mori 4 muaj për t’u menduar. Më 20 prill 2026, KPP pranoi ankesën e operatorit ekonomik “Rej” SHPK dhe urdhëroi Autoritetin Kontraktor të rivleresonte oferten e paraqitur nga kompania.

Ky ishte një vendim sa për të mbyllur cështjen, sepse pazari me Pjetër Trashajn duhet të ketë qenë i mbyllur qysh në nisje të tenderit.
Kështu, në mbledhjen e datës 20 maj 2026, KPP pranoi vendimin e “skualifikimit” të “Rej” shpk dhe hapi dritën jeshile për lidhjen e kontratës me Pejtër Trashajn.
Biznesmeni Trashaj është akuzuar vazhdimisht se nuk i zbaton kontratat, mashtron me informacionet në tendera, përfiton për punë të pakryera.
Trashaj është akuzuar se merrte tendera në konflikt interesi, pasi i biri ishte funksionar në Ministrinë e Mjedisit, pas vitit 2014. Sidomos, kjo kompani mbahet si përgjegjëse për dështimin e projektit të ripyllëzimit në Lurë, ku u shpenzuan 1.2 milionë euro.

Edhe vitet e fundit ka vazhduar e njëjta histori, kompania merr fonde të mëdha me ndërhyrje dhe favorizime.
Në vitin 2017, Pjetër Trashaj mori në tender nga Bashkia Sarandë, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i gjeti se Alb Garden i kishte shkaktuar buxhetit 5 milionë lekë dëme.
Duke u bazuar në rekomandimet e lëna nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë Bashki, është urdhëruar që Bashkia Sarandë t’i kërkojë shoqërisë pagimin e dëmit në masën rreth 6 milionë lekë si kamatë vonesa për shkeljet e afateve kontraktore.

Trashaj jo vetëm që nuk i paguante detyrimet dhe taksat në këtë bashki, por kërkonte të merrte një tender tjetër nga ky institucion. Me të drejtë, bashkia e përjashtoi nga tenderi.
Por Trashaj kishte miq në Tiranë në KPP. Kryetarja e asaj kohe në KPP, Evis Shurdha me 19 prill 2018, merr vendimin epik sipas të cilit, “përgjegjësinë e ka bashkia Sarandë që nuk e ka mbledhur detyrimin”, jo operatori që nuk paguan taksat!.
Megjithë këto probleme ligjore, Trashaj ka vazhduar të favorizohet sidomos nga Erion Veliaj. Megjithatë në një rast, Veliaj e ndëshkoi dhe u bë gati ta kalonte në listën e zezë.
Përplasja ishte për tenderin me objekt “Furnizim-Vendosje drurë-shkurre dekorative për nevoja të DPPGJ”, i zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit, nën varësi të Bashkisë Tiranë. Kjo ishte një drejtori e Veliajt që blinte pafund pemë për “pyllin orbital” që ekziston vetëm nëpër foto.
Tenderi u fitua fillimisht më datë 29 korrik 2023, pa garë nga kompania e oligarkut Shkëlqim Fusha, “Fusha shpk”.
Ishte firma “Albgarden”, e cila bëri një denoncim për këtë tender. Kompania me pronar Pjetër Trashajn pretendonte se Bashkia kishte vendosur kritere që favorizonin vetëm një operator, i cili është paracaktuar më herët si fitues. Kjo e inatosi Veliajn, se në mes të pazarit ishte Fusha. Në këto kushte Bashkia kërkoi në APP përjashtimin e kësaj kompanie nga tenderat sepse “mashtronte me informacionet”. Kështu, firma “Albgarden” u përjashtua për një vit nga prokurimet.

Veliaj dhe Trashaj u bënë miq përsëri pas 1 muaji, pavarësisht këtij vendimi dhe vazhduan pazaret.

Problemet e Trashajt me ligjin kanë qenë të përhershme, sidomos në raport me përfitimin e pamerituar të tenderave. Në vitin 2022, Prokuroria e Lushnjes ngriti akuzë për falsifikim për administratorin Pjetër Trashaj dhe anëtarët e komisionit të tenderit.
Për më tjetër, le të sqarojmë edhe një pikëpyetje. Ku e gjen guximin drejtoresha Edlira Bode?

Drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës ka vijuar me abuzimet me paratë e buxhetit për SUT edhe pas akuzave nga KLSH. Organi i Kontrollit ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së Spitalit të Traumës, pasi akuzohet se ka kryer të paktën 10 shkelje në zbatimin e kontratës me privatin dhe i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që në shtator të vitit 2023 shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, për afera me tendera, mungesë ilaçesh, për ilaçe të skaduara, keqadministrim të spitalit etj.

“Rekomandohet ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës” për:1.Znj.E. B., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i SUT-së: Në cilësinë e Titullarit te institucionit dhe njëkohësisht të Nëpunësit Autorizues nuk ka hartuar dhe miratuar gjurmën e auditit për monitorimin dhe zbatimin e kontratave përgjatë periudhës së ushtrimit të funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm brenda periudhës se auditimit, duke mos siguruar kontrollin e brendshëm kryesisht për të gjitha proceset ekonomiko financiare kryesisht për shërbimet e prokuruara dhe blerjet e barnave, materialeve te mjekimit dhe kryesisht të materialeve ortopedike. Duke vepruar në mospërputhje me përcaktimet e nenit 5 të ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe të Rregullores së brendshme të SUT”.
Fillimisht ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e më tej pasardhësja e saj, Albana Koçiu, dhe tashmë Evis Sala, refuzojnë të ndërmarrin masën penalizuese ndaj Edlira Bodes, një bashkëpunëtore e hershme e kryeministrit Edi Rama. Nën mbrojtjen e Ramës, Edlira Bode ka vijuar aferat me tendera!
gijotina.com/










