Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe veprimtari të paligjshme që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, një 33-vjeçar me inicialet T. P., person me precedentë penalë, është arrestuar pasi gjatë kontrollit iu gjetën një armë zjarri pistoletë, një krehër arme, 44 fishekë si dhe një sasi kokaine e ndarë në doza.
Në një rast tjetër, policia arrestoi në Dhërmi një 18-vjeçar, të cilit iu gjetën sasi kokaine dhe kanabisi. Sipas hetimeve paraprake, lëndët narkotike dyshohet se mbaheshin me qëllim shitjen në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policise
Goditen tre raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në qytet dhe në zonat bregdetare.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të këtyre lëndëve narkotike. Arrestohen 2 poseduesit, njëri prej tyre me precedent penal në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, masave dhe pranisë në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv garantimin e sigurisë publike, mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Siguria”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit:
– T. P., 33 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal për prodhim/shitje të lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesë iu gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje;
– A. C., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap në Dhërmi me sasi lëndësh narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.
Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.








