Partia Socialiste e Shqipërisë feston sot 35-vjetorin e saj që nga themelimi në vitin 1991. Pas festimeve në disa prej rretheve kryesore, festimet kulmojnë sot në sheshin përpara stadiumit “Arena Kombëtare”.
“Të dashur themelues, përfaqësues të familjes sonë të madhe politike, të PS. Qëlloi që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj familjeje për Shqipërinë një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësues e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmjeje bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi të madh që do ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 mld euro në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 mld eurosh, vetëm ky investim është më shumë se 1 nga 7 e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë.
Edhe unë po të isha një qytetar, të informohesha nga rrjetet sociale, duke parë gjysmë të vërtetat të fryra dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi lagunë dhe Sazan, tabela “Kufiri i Izraelit”, do kisha dalë në bulevard i llahtarizuar nga ai apokalips. Befas krejt bota u zgjua si në një ankth dhe u bashkua për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër”, u shpreh Rama.










