Në ditëlindjen e 35-të të Partisë Socialiste, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka zgjedhur të pozicionohet qartë në anën e Shqipërisë së re të protestave.
Përmes një shënimi publik, ai kthehet në vitin 2013 dhe i kujton kryeministrit Edi Rama vargjet e Gjergj Fishta që recitoheshin në atë kohë: Për me sundue një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia. Duhet nder, dije, urti, burrni.
Bushati ndalet te transformimi që sjell pushteti i gjatë, duke folur për një sistem ku pushteti politik, media, oligarkia dhe krimi i organizuar janë shndërruar në hallka të të njëjtit zinxhir. Sipas tij, atdheu ka nevojë për një shkundje të fortë dhe për zhbërjen e këtij mekanizmi të instaluar ndër vite.
Sipas tij, Partia Socialiste duhet të reflektojë seriozisht mbi situatën politike në vend dhe të kërkojë ndjesë për gabimet e bëra gjatë qeverisjes, duke theksuar se “partneriteti mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar duhet zhbërë”.
Bushati e përshkruan protestën si një “protestë dinjiteti”, që sipas tij shkon përtej ndarjeve politike dhe tregon pakënaqësi të thellë ndaj modelit aktual të zhvillimit në Shqipëri.
Për të gjithe ata që më kanë shkruar e kërkojnë të dinë se çfarë mendoj për protestën e flamingove. Edhe pse kam thënë gjithmonë atë që mendoj, gjatë këtyre diteve kam parë se çfarë mendojnë shqiptarët për shqetësimet dhe vlerat e përbashkëta. Ata kanë folur me shume se asnjë herë që prej vitit 1990.
Në këtë shënim të gjatë kam shkruar për shkaqet e këtij zemërimi dhe të ardhmen e vendit. Për nevojën për një ripërtëritje demokratike. Dhe meqë sot është edhe 35 vjetori i Partisë Socialiste, për nevojën për një të majtë me vizion të ri, të guximshme e me shpirt, që u paraprin nevojave të shoqërisë.










