Enea Zyferin, ndaj të cilit u caktua masa e arrestit me burg për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koci është rrëfyer në gjykatën e Tiranës. Zyferi ka deklaruar se Armand Shakaj i ka kërkuar që të fikë dritat, pasi do të nxirrte një frigorifer, ndërsa ka mohuar të ketë dijeni për fatin e Eglant Koçit.
“Armand Shakaj, më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Kocit. E njoh, sepse punoj si kamerier në lokalin e Artmandit”, tha Enea Zyferi.
Më tej, Zyferi ka pretenduar se e ka parë Koçin kur ka hyrë në ambientin e punës së Shakajt, por nuk ka dijeni të mëtejshme për fatin e tij. Zyferi është shprehur gjithashtu se Shakaj i ka kërkuar të çonte makinën në lavazh për ta larë dhe ai e dërgoi diku në fund të bulevardit të ri.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se Shakaj i kërkoi Koçit që të shkonte ta takonte te ambienti në afërsi të shkollës “Ismail Qemali” përballë drejtorisë së Policisë së Shtetit. Aty dyshohet se ai e ka vrarë dhe për të nxjerrë trupin i ka kërkuar kamerierit të fikë dritat, me pretendimin se do të nxirrte një frigorifer.
Pavarësisht fikjes së dritave, kamerat e kanë fokusuar teksa vendos trupin e Koçit në makinë dhe dyshohet ta ketë zhdukur në një zonë te thellë të Librazhdit. Më pas, Shakaj ka tentuar të fshehë çdo gjurmë, pasi motorin e mikut të tij e ka dërguar në zonën e 5 majit, mesa duket për të shpërqendruar policinë, ndërsa ka pastruar ambientin e punës si dhe ka urdhëruar kamerierin të lajë makinën.
Policia dyshon se Englant Koçi është vrarë, pasi gjurmë gjaku janë gjetur si në ambientin ku është mbajtur peng, ashtu dhe në makinë. Shakaj nërkohë është shpallur në kërkim për mbajtjen peng dhe vrasjen e mikut të tij 34-vjeçar.










